Në një deklaratë të fortë kundër pretendimeve të Donald Trump për aneksimin e Groenlandës, kryeministri i ri i vendit, Jens-Frederik Nielsen, theksoi se territori arktik nuk i përket askujt tjetër përveç popullit të tij. Deklarata erdhi pasi Trump, gjatë një interviste për NBC, u shpreh se SHBA është e “100% sigurt” se do ta marrë Groenlandën dhe se një marrëveshje pa përdorimin e forcës ushtarake është “shumë e mundshme”.
Nielsen, një ish-ministër i industrisë dhe mineraleve, i cili u betua si kryeministër të premten, e bëri të qartë se Groenlanda nuk do të pranojë kurrë të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. “Në një kohë kur ne si popull jemi nën presion, duhet të qëndrojmë së bashku,” – u shpreh ai në konferencën e tij të parë për shtyp në Nuuk, duke bërë thirrje për unitet politik për të mbrojtur sovranitetin e vendit.
Deklarata e tij vjen pak orë para mbërritjes së një delegacioni të lartë amerikan të kryesuar nga zëvendëspresidenti JD Vance në ishull, duke shtuar më tej tensionet për të ardhmen e Groenlandës në arenën gjeopolitike.