Zyra e Kryeministrit britanik, Keir Starmer, ka shpallur emërime të reja për disa ministra të nivelit të dytë, si pjesë e një serie ndryshimesh në qeveri që pasuan dorëheqjen e ish-zëvendëskryeministres Angela Rayner të premten.
Rayner dha dorëheqjen pasi këshilltarja e etikës e kryeministrit zbuloi se ajo kishte shkelur kodin ministror për shkak se nuk kishte paguar mjaftueshëm taksa për apartamentin e saj në East Sussex.
Ndër ndryshimet më të spikatura janë largimi i Angela Eagle dhe Diana Johnson nga Ministria e Brendshme, që sipas redaktorit politik të BBC, Chris Mason, përfaqëson një “pastrim të qartë”.
Ja cilat janë emërimet kryesore:
Biznesmeni i njohur nga Grimsby, Jason Stockwood, pritet të bëhet pjesë e qeverisë së Kryeministrit Keir Starmer si ministër i biznesit, pasi është ftuar të bashkohet me Dhomën e Lordëve.
Edhe pse Stockwood nuk është deputet i zgjedhur, pozicioni në Dhomën e Lordëve i mundëson atij të japë këshilla dhe të ushtrojë ndikim në politikat qeveritare.
Përveçse një biznesmen i suksesshëm, 54-vjeçari ka qenë ish-kryetar i klubit të futbollit Grimsby Town FC, dhe mbetet bashkëpronar i klubit që garon në League Two (liga e katërt në Angli).
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Stockwood përfshihet në politikë. Në pranverën e këtij viti, ai kandidoi për të qenë kryetari i parë i zgjedhur i autoritetit të ri të Greater Lincolnshire, por humbi me një diferencë të theksuar ndaj kandidates së Reform UK dhe ish-deputetes konservatore, Dame Andrea Jenkyns.
Gjatë fushatës së tij, Stockwood kishte theksuar origjinën e tij nga një lagje komunale në Grimsby, duke premtuar se do të punonte për të forcuar ndjenjën e krenarisë dhe sigurisë në komunitet.