FLASH :

Kryemadhi në SPAK, kërkon ku të lerë unazën. Rrëfen se ka heshtur përpara hetuesve

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është paraqitur sot në SPAK ku do ti komunikohet mbyllja e hetimeve për dosjen ‘Meta’, në të cilën është marrë e pandehur. Kryemadhit iu komunikuan akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë më datë 29 maj, bashkë me Metën, ndërsa sot prokurorët e SPAK do ti japin dosjen e përfunduar të hetimeve.

Para mjediseve të SPAK në një prononcim për gazetarët Kryemadhi u shpreh se deri tani e kanë thirrur shtatë herë ndaj nuk përgjigjet.

“Nuk bashkëpunoj unë më me ata, do të flas në gjykatë. Që në momentin që merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do të bëjnë lojën e tyre ne do të bëjmë lojën tonë”, tha Kryemadhi.

Në SPAK për t’u njohur me mbylljen e hetimeve pritej të paraqitej edhe Ilir Meta, prej 9 muajsh në qeli, por avokati i tij, Kujtim Cakrani ka kërkuar disa ditë kohë më argumentin se është me pushime. Vetë Ilir Meta në një reagim në Facebook e quan procesin farsë, ndërsa thotë se vetëm sot u njoftua për tu paraqitur në SPAK, ndërkohë kur avokati i tij ishte larguar jashtë shtetit. Ndërsa vetë Kryemadhi tha se nuk do të thotë asnjë fjalë, por do të flasë vetëm në gjykatë.

“U lidha me avokatin tim, Kujtim Cakrani, i cili sot kishte kaluar kufirin dhe e kishte të pamundur për t’u paraqitur në SPAK në orën e komunikuar në mënyrë verbale nga një gardian. Ndaj duke qenë se prania e avokatit është e domosdoshme nga pikëpamja proceduriale do të paraqitemi në SPAK sa më parë avokati ta ketë të mundur”, shkruan Meta.

Po sot, SPAK i komunikon nënës së saj Fatime Kryemadhit akuzën për të cilët do të merret zyrtarisht e pandehur. Ish-vjehrra e Ilir Metës është marrë disa herë në pyetje gjatë fazës së hetimeve, për shkak se SPAK thotë se ka ndihmuar ish çiftin të pastrojë paratë. Megjithatë ende është e paqartë se cilat janë akuzat zyrtare që rëndojnë ndaj Fatime Kryemadhit.

Ajo u paraqit dje në SPAK për tu njohur me akuzën, por u largua pasi oficeret e Byrosë Kombëtare të Hetimit i kërkuan që të gjejë një tjetër avokat, jo njëjtin me të cilin mbrohej e hetuara tjetër Ema Çokut. Prokurorët Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, i komunikuan dje akuzën për pastrim parash Ema Çokut dhe korrupsion pasiv ish-kreut të AKEP, Pirro Xhixho.

Tashmë që SPAK ka mbyllur hetimet, është gati të depozitojë në GJKKO dosjen që përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.

Meta që prej 21 tetorit të kaluar ndodhet në arrest me burg, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje, të dy të akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Kryemadhi-Meta, tashmë ligjërisht të divorcuar, akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.