FLASH :

Krujë – Droni i Policisë zbulon parcelë me kanabis në fshatin Mazhë, asgjësohen 12 bimë, vijojnë hetimet për autorët

Një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike është zbuluar nga Policia, këtë herë në fshatin MazhëKrujës, falë monitorimit ajror me dron. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të zhvilluara ditën e djeshme (7 korrik), u konstatua një parcelë e mbjellë me 12 bimë kanabisi, të cilat u asgjësuan menjëherë në vendngjarje përmes djegies.

Drejtoria e Policisë së Tiranës konfirmoi sot zyrtarisht operacionin, ndërsa bëhet me dije se autori apo autorët që fshihen pas këtij kultivimi të paligjshëm janë ende të panjohur. “Bashkë me Prokurorinë e Krujës, po vijon puna për identifikimin e përgjegjësve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes,” – thuhet në deklaratën zyrtare.

Policia nënvizon se kontrollet ajrore do të vijojnë në të gjithë qarkun, si pjesë e strategjisë për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në zonat rurale dhe të thella.