FLASH :

Krizë ushtarake mes Kamboxhias dhe Tajlandës, paralajmërohet luftë e përmasave të plota

Konflikti mes Kamboxhias dhe Tajlandës ka hyrë në një fazë të rrezikshme, teksa përplasjet vdekjeprurëse vijuan për të dytën ditë radhazi përgjatë kufirit, duke shtyrë ushtrinë tajlandeze në gatishmëri të plotë. Ushtruesi i detyrës së kryeministrit të Tajlandës, Phumtham Wechayachai, paralajmëroi të premten se situata mund të “zhvillohet në luftë” të mirëfilltë, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të shmangur përshkallëzimin.

Mbi 138,000 persona janë evakuuar nga zonat kufitare, ndërsa 15 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Ndërkohë, goditjet me artileri, tanke dhe avionë luftarakë F-16 nuk janë ndalur në asnjë moment, me secilën palë që fajëson tjetrën për fillimin e luftimeve. Tajlanda ka akuzuar Kamboxhian se ka qëlluar mbi infrastrukturë civile, përfshirë një spital dhe një pikë karburanti.

Situata ka shqetësuar ndërkombëtarisht. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sot me kërkesë të kryeministrit kamboxhian Hun Manet. BE, SHBA, Kina dhe Franca kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës. Megjithatë, pavarësisht optimizmit të shprehur nga kryeministri malajzian Anwar Ibrahim pas bisedimeve me palët, luftime të reja shpërthyen sërish mëngjesin e së premtes në të paktën tre zona.

Përplasja e fundit ka rikthyer në vëmendje konfliktin historik për kufirin 800 kilometra të pademarkuar, veçanërisht për pronësinë mbi tempuj antikë si Preah Vihear dhe Ta Moan Thom. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha të drejtë Kamboxhias për tempullin Preah Vihear që në vitin 1962 dhe sërish në 2013, por tensionet janë rindezur pas provokimeve të fundit dhe krizës politike në Bangkok, ku ish-kryeministrja Paetongtarn Shinawatra u pezullua për “nënshtrim” ndaj Phnom Penh.