Denoncime të shumta kanë mbërritur gjatë ditës së sotme lidhur mungesën e ujit në qytetin bregdetar dhe turistik të Vlorës. Sipas qytetarëve të shumtë, qyteti i Vlorës ndodhet prej më shumë se dy javësh në një krizë të rëndë uji, duke goditur jo vetëm jetesën e banorëve, por edhe sezonin turistik që sapo ka nisur. Në lagje të ndryshme të qytetit, furnizimi me ujë mungon totalisht ose vjen për vetëm 20 minuta në ditë, duke e bërë të pamundur përballimin e temperaturave të larta dhe nevojave bazë të përditshme.
Mësohet se ka pasur ndërprerje në furnizimin me ujë si pasojë e stakimeve të energjisë elektrike në zonat ku ndodhen stacionet e ujësjellësit, si dhe për shkak të një avarie në një nga stacionet kryesore, konkretisht stacionit Nr.4,, një një kohë kur sezoni turistik tashmë ka nisur. Banorët raportojnë se punimet për kanalizime të reja kanë lënë pas rrugë të shkatërruara, pluhur e pisllëk, por asnjë sinjal për rikthimin e furnizimit me ujë në shtëpi. Ata shprehen të dëshpëruar nga mungesa e transparencës dhe komunikimit nga institucionet vendore, duke përfshirë edhe kryetarin e bashkisë, i cili nuk u përgjigjet thirrjeve dhe, sipas denoncimeve, fshin komentet që i bëhen në rrjetet sociale.