Referuar të dhënave zyrtare më të fundit, popullsia rezidente e Shqipërisë më 1 janar 2025 ishte vetëm 2.36 milionë banorë, duke rënë me rreth 1.2% krahasuar me një vit më parë. Kjo tkurrje demografike e vendit po e rendit Shqipërinë mes vendeve të Europës me rënie më të madhe popullsie, në një kohë kur popullsia e Bashkimit Europian shënoi një rritje mesatare prej 0.2% gjatë vitit 2024. Analiza e strukturës sipas grupmoshave konfirmon se vendi ynë po humbet në mënyrë disproporcionale brezat e rinj. Grupi i moshës 25–29 vjeç pësoi një rënie vjetore dramatike prej –5.3%, ndërsa rënie të ndjeshme u vunë re edhe te fëmijët 5–9 vjeç (–4.0%) dhe adoleshentët 15–19 vjeç (–3.9%). Këto shifra pasqyrojnë uljen e lindshmërisë dhe migrimin e vazhdueshëm të të rinjve jashtë vendit. Në të kundërt, popullsia e moshës së tretë po rritet ndjeshëm: grupmoshat 75–79 vjeç dhe mbi 85 vjeç u shtuan me respektivisht +8.8% dhe +8.6% gjatë vitit të fundit. Me fjalë të tjera, Shqipëria po humbet të rinjtë, ndërkohë që rritet numri i të moshuarve, një trend ky që sinjalizon sfida serioze demografike për të ardhmen.
Që prej fillimit të tranzicionit post-komunist, Shqipëria po përballet me një krizë demografike alarmante, e cila është thelluar vit pas viti, siç dëshmohet nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2023 që tregon një tkurrje prej gati 17% krahasuar me vitin 2011. Kombet e Bashkuara parashikojnë që deri në vitin 2050 popullsia të bjerë në rreth 2.5 milion banorë, ndërsa deri në fund të shekullit kjo shifër mund të reduktohet në vetëm 1.1 milion, për shkak të lindshmërisë së ulët dhe emigracionit masiv. Në këtë analizë do të trajtojmë faktorët kryesorë të kësaj krize, pasojat socio-ekonomike dhe politikat që nevojiten për të frenuar këtë tendencë shqetësuese.
Shqipëria po përjeton një rënie historike të lindshmërisë, me vetëm 22,210 foshnja të lindura në vitin 2023, shifra më e ulët që nga viti 1934, dhe me norma fertiliteti që kanë zbritur në vetëm 1.21 fëmijë për grua, shumë poshtë nivelit të zëvendësimit. Kjo prirje është ndikuar nga faktorë kompleksë si shtyrja e martesës dhe lindjes së parë, prioriteti ndaj karrierës dhe arsimit, ndryshimet kulturore dhe vështirësitë ekonomike që i bëjnë çiftet hezitues për të pasur më shumë se një fëmijë. Pasojat janë alarmante: popullsia po plaket me shpejtësi, kontingjenti i të rinjve që hyjnë në tregun e punës po tkurret, dhe raporti gjinor po zhbalancohet, me më shumë djem sesa vajza që lindin. Për të frenuar këtë krizë, shteti shqiptar ka nisur disa masa si “bonusi i bebes” dhe lehtësira lokale për familjet me shumë fëmijë, por këto mbeten të pamjaftueshme në mungesë të një politike të mirëfilltë mbështetëse për familjet. Nëse nuk merren masa të thella dhe afatgjata, vendi rrezikon një shpopullim të pakthyeshëm në dekadat që vijnë.
Emigracioni masiv, veçanërisht ai i të rinjve dhe profesionistëve, është një nga shtyllat kryesore të krizës demografike në Shqipëri, me mbi 1.6 milion shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Ky fenomen ka sjellë shpopullim të dukshëm në shumë zona rurale, mbyllje shkollash, mungesë fuqie punëtore dhe sidomos një “rrjedhje truri” të konsiderueshme, pasi shumica e studentëve që diplomohen jashtë nuk kthehen më. Arsyet janë kryesisht ekonomike paga më të larta, kushte më të mira jetese dhe më shumë mundësi por edhe sociale dhe politike, si pasiguria, korrupsioni dhe mosbesimi ndaj institucioneve. Kjo prirje thellon plakjen e popullsisë dhe uljen e lindshmërisë efektive, pasi edhe familjarët ndjekin të rinjtë jashtë, ndërsa fëmijët e tyre shpesh nuk regjistrohen më si banorë në Shqipëri. Megjithëse remitancat dhe diaspora aktive ofrojnë disa përfitime për ekonominë, ato nuk mund të zëvendësojnë humbjen e kapitalit njerëzor që dëmton potencialin zhvillimor të vendit në mënyrë afatgjatë.
Rënia e lindjeve dhe emigracioni i të rinjve, të kombinuara së bashku, kanë prodhuar një efekt të pashmangshëm: plakjen e shpejtë të popullsisë shqiptare. Struktura demografike e vendit po zhvendoset me shpejtësi drejt moshave të vjetra. Aktualisht, vlerësohet se rreth 455 mijë banorë në Shqipëri janë të moshës mbi 65 vjeç, që përbën gati një të pestën e popullsisë totale. Për herë të parë në historinë moderne, në Shqipëri popullsia mbi moshën 60 vjeç po i afrohet numerikisht popullsisë nën moshën 20 vjeç një tregues ky dramatik i ndryshimit të piramidës demografike.
Mosha mediane e popullsisë shqiptare ka arritur afërsisht 39 vjeç dhe pritet të arrijë 49 vjeç deri në vitin 2050, duke e kthyer Shqipërinë në një shoqëri të plakur, me një rënie të ndjeshme të të rinjve dhe rritje të ndjeshme të popullsisë mbi 65 vjeç. Kjo sjell një rritje të raportit të varësisë demografike dhe presion të madh mbi sistemin e pensioneve, i cili tashmë vuan nga çekuilibrat midis kontributeve dhe përfitimeve. Edhe pse po zbatohen reforma si rritja graduale e moshës së pensionit dhe e viteve të kontributit, ekspertët paralajmërojnë se pa një rritje të lindshmërisë dhe frenim të emigracionit, këto masa nuk mjaftojnë. Plakja ndikon edhe në tregun e punës dhe në rritjen ekonomike, pasi mungojnë të rinjtë për sektorët bazë dhe ulet konsumi, ndërsa rriten shpenzimet për shëndetësi dhe kujdes social.
Urbanizimi në Shqipëri ka sjellë një përqendrim të madh të popullsisë në zonën Tiranë-Durrës, ku sot jeton rreth një në çdo tre shqiptarë, ndërsa qarqet periferike si Kukësi, Gjirokastra apo Dibra po boshatisen me ritme alarmante. Ky migrim i brendshëm ka ndodhur për shkak të mungesës së investimeve dhe shërbimeve në rrethe, ndërkohë që Tirana ofron mundësi më të mira punësimi, arsimimi dhe jetese. Si pasojë, zonat rurale po përballen me plakje dhe shpopullim, ndërsa Tirana vuan nga mbingarkesa urbane, ndotje, mungesë infrastrukture dhe rritje të kostos së jetesës. Disa qytete si Korça kanë treguar se me politika të mençura është e mundur të frenohet tkurrja demografike, por përjashtimet janë të rralla dhe polarizimi mbetet i thellë. Pa ndërhyrje të qëndrueshme për zhvillimin rajonal, Shqipëria rrezikon të bëhet një vend me “dy shpejtësi”: një metropol i tejmbushur dhe një periferi e zbrazur, me pasoja të thella socio-ekonomike dhe zhvillimore.
Kriza demografike në Shqipëri paraqitet si një sfidë komplekse. Duhet zgjidhje me një kombinim politikash ekonomike të zgjuara, reformash sociale të guximshme dhe ndryshimesh kulturore në shoqëri. Më shumë se kurrë, vendimmarrësit sot duhet të mendojnë për pasojat pas 20 apo 50 vitesh. Demografia është fati i një kombi dhe sot në Shqipëri po shkruhet fati i brezave që do vijnë.