FLASH :

Kritikoi Ramen, sulmohet zyra e Tom Doshit në Tiranë nga një person i armatosur

Pak ditë pasi e quajti “hajdut” kryebashkiakun socialist të Shkodrës dhe deklaroi se “gjysma e kabinetit të Ramës është në burg”, zyrat e Tom Doshit në rrugën “Ali Demi” u përfshinë në një sulm të dhunshëm. Në qendër të hetimeve janë Arjan Talhellari dhe djali i tij.

Një përplasje e fortë ka ndodhur mesditën e së martës në ambientet e një zyre elektorale të Partisë Socialdemokrate në rrugën “Ali Demi” në Tiranë. Dëshmitarët raportojnë për një konflikt të dhunshëm mes disa personave, i cili ka degjeneruar në thyerje xhamash dhe lënien pas të dy fishekëve luftarakë të paplasur.

Ngjarja ka shkaktuar alarm në zonë dhe ka nxitur reagimin e menjëhershëm të forcave të rendit dhe grupeve hetimore, të cilat kanë nisur punën për identifikimin e të përfshirëve. Të dyshuarit kryesorë janë Arjan Talhellari dhe djali i tij.

Ky sulm ndodh në një moment kur tensioni politik ka njohur tone të ashpra nga ana e kreut të PSD-së, Tom Doshi. Vetëm pak ditë më parë, ai kritikoi publikisht kandidatin e Partisë Socialiste për Bashkinë Shkodër, duke deklaruar:
“Mos e votoni Benet Beci-n. Është një hajdut. Gjysma e kabinetit të Ramës ndodhet në burg.”

Doshi vijoi me një ton edhe më të ashpër kur komentoi kandidimin e Eduard Shalsit në Kukës, duke ironizuar publikisht zgjedhjet e PS-së dhe duke lënë të nënkuptohet se emrat në fushë ishin komprometues.

Në rrjetet sociale, ai shprehej:
“Kanë 20 vjet në pushtet dhe ende nuk janë zgjidhur problemet sociale. Edhe në ungjill edhe në kuran predikohet ndihma për të varfërit, jo për luksin e pushtetarëve.”

Ndërkohë, Policia e Tiranës dhe grupi hetimor janë duke vijuar punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave. Nën drejtimin e Prokurorisë, po hetohet edhe motivi i mundshëm politik i sulmit.

Më poshtë gjeni njoftimin zyrtar të Policisë:

“Një i ri është zënë me një tjetër në zonën e Ali Demit dhe ka shkuar në shtëpi. Më pas bashkë me të atin Arjan Telhallari kanë shkuar tek lokali për të gjetur të riun, djalin tjetër, por nuk e kanë gjetur. Pasi kanë kontrolluar aty afër kanë parë që ndodhej tek zyra e PSD dhe më pas kanë hyrë aty dhe janë konfliktuar. Telhallari sipas policisë ka qenë i armatosur dhe i kanë rënë fishekët e paplasur në tokë gjatë sherrit, ndërsa arma nuk rezulton që është përdorur. Blutë po krehin zonën për të ndaluar Arjan Telhallarin dhe për të sqaruar të plotë dinamikën e sherrit.”

Partia Social Demokrate ka bërë një reagim në lidhje me gjithë këto ngjarje. Ajo ka tentuar ta minimizojë incidentin, pasi nuk i intereson të ketë një përplasje të hapur me Edi Ramën. Për këtë arsye, është shprehur se ky sherr nuk ka lidhje me retorikën politike.

Por në fakt, është e vështirë të besohet se të gjitha këto përkojnë rastësisht — që nga ashpërsimi i deklaratave të Tom Doshit ndaj Edi Ramës, Benet Becit dhe Eduard Shalsit në Kukës, deri te incidenti që ndodhi në zyrat e tij. Ata thjesht po përpiqen të sheshojnë një situatë që duket se po u del jashtë kontrollit aleatëve të dikurshëm.

Më poshtë është reagimi i tyre:

“Partia Socialdemokrate sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur këtë mesditë në rrugën “Ali Demi”, nuk ka asnjë lidhje me zyrën tonë elektorale apo me aktivitetin e Partisë Socialdemokrate.Vendi ku ka ndodhur incidenti ndodhet pranë ambjenteve tona, por asnjë nga anëtarët apo simpatizantët tanë nuk ka qenë i përfshirë në konfliktin në fjalë. Dënojmë çdo akt dhune dhe presim që organet kompetente të sqarojnë plotësisht rrethanat e ngjarjes.”