FLASH :

Krimi porosit vrasje nga Dubai, Ilir Proda fshihet pas fëmijëve

Krimi i organizuar mori jetën e një tjetër qytetari shqiptar. Një vrasje mafioze e komanduar nga Dubai ndodhi të dielën në Vlorë. Viktima, 58 -vjeçari Renato Hoxha, dyshohet se bashkëpunonte me një grup kriminal duke i dhënë informacione për një grup rival.

Krimi po e sfidon hapur shtetin. Atentatet mafioze si ai të Tiranës me 4 të plagosur, 2 prej të cilëve të mitur, apo ai me 1 viktimë ne Lezhë, nuk kanë të ndalur. Vrasësit, kryesisht të paguar nga grupet kriminale, godasin ditën e natën, nëpër lokale, shtëpi e rrugë. Nuk ka më një vend të sigurt në Shqipëri ku mund të jesh i mbrojtur nga plumbat e krimit.

Komandat dhe pagesat vijnë nga Dubai, Belgjika, Londra, Amsterdami etj. Në këto qytete janë bazat e grupeve të më fuqishme kriminale shqiptare, që po konkurrojnë me grupet më të njohura mafioze në botë në trafikun e drogës apo në larjen e hesapeve.

E teksa qytetarët viten thuajse përditeë, përgjigja e policisë mbetet sa e vonuar, aq edhe e paefektshme.

Në këto ditë të errëta për sigurinë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, gjeti kohën të ulet në një takim me Këshillin e Prindërve të Tiranës. Në dukje, një përpjekje për të krijuar një imazh të qetësisë dhe të angazhimit të policisë për të garantuar sigurinë fëmijëve nëpër shkolla. Në realitet, një propagandë e ulët për fushatë elektorale në dobi të partisë në pushtet.

Takime si këto, që në realitet nuk prodhojnë asgjë për sigurinë, janë më shumë një përpjekje për të fshehur pasigurinë dhe dështimet e vërteta që kanë mbërthyer policinë në luftën kundër krimit, atij tek të miturit, krimit ordiner dhe atij të organizuar.

Ilir Proda ka garantuar se siguria e nxënësve është një prioritet dhe se policia do të intensifikojë monitorimet në shkolla. Por në realitet, të gjithë qytetarët e Tiranës e dinë që policia është shumë larg të qënit e pranishme nëpër shkolla.

Në vend që të merret me takime formale me prindër, Policia e Shtetit duhet të tregojë nëse ka një plan të detajuar për të ulur kriminalitetin tek moshat e mitura.
Ndërsa përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, që vazhdon të lëvizë lirisht dhe të komandojë, policia e ka humbur me kohë betejën.