Në Vlorë, festa vazhdon në bregdetin e Lungomares, në zonën e “Ujit të Ftohtë”, ku organizohet nata e dytë e festivalit veror që simbolizon nisjen zyrtare të sezonit turistik. Aktiviteti ka tërhequr një numër të madh qytetarësh dhe turistësh, duke ofruar një spektakël me performanca të artistëve të njohur. Pas sfilatave të modës dhe performancave të kërcimit, mbrëmja e së dielës solli në skenë emra të njohur si Kida dhe Ledri Vula, të cilët rrëmbyen duartrokitjet e publikut me interpretimet e tyre.
Megjithatë, festa e organizuar nga Bashkia e Vlorës ka ngjallur edhe polemika. Aktiviteti që po promovohet si një nisje e sezonit veror, në fakt duket se është një festë për fitoren e Rilindjes, e financuar me taksat e qytetarëve. Kreu i Bashkisë, Ermal Dredha përmes këtij eventi, duket se po përdor fondet publike për aktivitete që kanë një karakter të theksuar politik, duke i paraqitur ato si ngjarje kulturore për qytetin. Ndoshta, për të, lungomarja është më shumë se një shëtitore, tashmë mund të kthehet fare bukur në një skenë të përsosur për premtime të reja dhe festa të pafundme.