Nga 1 korriku 2025, nuk do të jetë më në dorën e bankave vendimmarrja e lirë për dhënien e kredive për blerje banese. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur rregulla të reja strikte mbi kufijtë e shumës së kredisë, këstin mujor ndaj të ardhurave, si dhe afatin maksimal të shlyerjes së huasë.
Çfarë parashikon vendimi i ri?
1. Raporti i kredisë ndaj vlerës së banesës (LTV):
- Në Lekë:
- 85% për shtëpinë e parë
- 80% për shtëpi të dytë ose për qira
- Në valutë të huaj (Euro):
- 75% për shtëpinë e parë
- 70% për shtëpi të dytë ose për qira
2. Raporti i këstit ndaj të ardhurave mujore (DSTI):
- Në Lekë:
- 40% për shtëpinë e parë
- 35% për shtëpinë e dytë / qira
- Në valutë:
- 35% për shtëpinë e parë
- 30% për shtëpi të tjera / qira
3. Maturimi maksimal i kredisë:
- Deri në 30 vite ose deri në moshën e pensionit të kredimarrësit (zgjidhet afati më i shkurtër).
Përjashtime të kufizuara
Bankat mund të përjashtojnë deri në 15% të vlerës së kredive të reja nga këto kufij, për raste të veçanta ose rifinancime. Por këto raste duhet të raportohen në mënyrë të detajuar dhe transparente pranë Bankës së Shqipërisë.
Qëllimi i masave
Sipas Bankës së Shqipërisë, ky vendim synon:
- Të ulë rrezikun e borxheve të papërballueshme për qytetarët
- Të mbrojë sistemin bankar nga pasojat e mundshme të krizave ekonomike
- Të sigurojë një kreditim më të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm
Vendimi hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, por zbatohet vetëm për kreditë që disbursohen nga data 1 korrik 2025.