FLASH :

KQZ nis sot rinumërimin e 2323 kutive të votimit, përfshirë edhe votat nga diaspora – Procesi zhvillohet ‘live’ në “Farie Hoti”

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur zyrtarisht procesin e rinumërimit të 2323 qendrave të votimit, sipas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS). Rinumërimi përfshin edhe 85 kuti votimi nga diaspora dhe po zhvillohet në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë.

Procesi është organizuar në 24 tavolina numërimi me 24 grupe të posaçme, ndërsa për të garantuar transparencë maksimale, transmetimi bëhet në kohë reale në rrjetet sociale të KQZ-së.

Qarqet e përfshira në këtë proces janë Tiranë, Durrës, Fier dhe Elbasan, ndërsa të vetmet subjekte që kanë të drejtë të kenë vëzhgues janë ato që janë legjitimuar nga KAS gjatë shqyrtimit të kërkesave ankimore. Konkretisht:

  • Elbasan: Koalicioni PD-ASHM dhe Partia Socialiste
  • Fier: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe Koalicioni Nisma – Shqipëria Bëhet
  • Durrës: Koalicioni PD-ASHM dhe Partia Socialiste
  • Tiranë: Koalicioni PD-ASHM, Partia Socialiste dhe partia Mundësia

KQZ ka deklaruar se ky proces synon të verifikojë integritetin e numërimit dhe të adresojë çdo shqetësim të ngritur nga subjektet garuese, duke u bërë një tjetër provë për besueshmërinë dhe legjitimitetin e zgjedhjeve.