Kourtney Kardashian: U godita në fytyrë në një festë të çmendur të Diddy – rrëfimi tronditës që del në dritë mes gjyqit për trafik seksual

Një rrëfim i harruar prej vitesh i Kourtney Kardashian ka dalë sërish në sipërfaqe, në një moment kritik për reperin Sean “Diddy” Combs, i cili po përballet me akuza të rënda për trafik seksual dhe krim të organizuar.

Në një klip të risjellë nga emisioni i vitit 2016 “Kocktails with Khloé”, Kourtney, tani 46 vjeç, kujton se ishte goditur brutalisht në fytyrë gjatë një feste të Diddy në klubin TAO në vitin 2001. “Po prisja radhën për në tualet, kur një vajzë më preu rrugën. Kur i thashë me mirësjellje të më linte të parën, më qëlloi menjëherë në fytyrë”, tregoi ajo para Diddy-t, motrave Khloé dhe Kylie Jenner.

Diddy, që ishte prezent në intervistë, e pranoi me një të qeshur të sikletshme: “Më kujtohet që dikush u qëllua atë natë.”

Festa që doli jashtë kontrollit

Festa e vitit 2001, sipas Kourtneyt, ishte për ditëlindjen e Diddy-t dhe ai kishte marrë me qira të gjithë restorantin TAO, duke dërguar madje edhe CD ftesash luksoze për të ftuarit. Por ajo që duhet të ishte një mbrëmje glamuroze, u kthye në një episod traumatizues për yllin e “Keeping Up With The Kardashians”.

“U futa në një kabinë dhe fillova të qaja. Isha vetëm. Pastaj vrapova të gjeja Khloé-n dhe i tregova,” tha Kourtney.

Khloé ndërhyri më pas me një koment tipik të saj: “Doja ta gjeja atë vajzë dhe ta rrihja për atë që i bëri motrës time.”

Dëshmitë e kaluara të çuditshme për festat e Diddy-t

Kjo nuk është hera e parë që familja Kardashian flet për festat ekstreme të Diddy-t. Në një episod të vitit 2014 të “KUWTK”, Khloé rrëfente se kishte qenë në një festë të Diddy ku “gjysma e të ftuarve ishin nudo”, dhe aty kishte qenë edhe Justin Bieber.

Ndërkohë, javën e kaluar, Bieber thyeu heshtjen mbi thashethemet për përfshirjen e tij në skandalin e Diddy-t, duke mohuar çdo abuzim. “Justin nuk është viktimë e Sean Combs. Ka njerëz që janë lënduar vërtet dhe e meritojnë drejtësinë”, tha zëdhënësi i tij për TMZ.

Skandali që po trondit industrinë

Diddy po përballet me një proces federal për trafikim seksual dhe krime të tjera të rënda, ndërsa imazhi i tij po rrënohet përditë. Edhe bashkëpunimi i tij me Justin Bieber në albumin e fundit “The Love Album: Off the Grid” po shihet me dyshim, me burime që thonë se Bieber nuk do të kishte marrë pjesë në projekt nëse do të dinte të vërtetën.

Në këtë klimë të tensionuar, rrëfimi i dhunës ndaj Kourtney Kardashian, që dikur ishte parë si një histori pa shumë rëndësi, merr një tjetër domethënie, duke shtuar një gur tjetër në murin e akuzave që rrethojnë jetën private dhe publike të Diddy-t.