FLASH :

Kostot e korrupsionit, Shqipëria kampione në Ballkan për kostot e ndërtimit rrugëve, e fundit për cilësinë!

Me një mesatare prej 12.9 milionë euro për kilometër Shqipëria është kampione në rajon sa i përket kostove për ndërtimin e rrugëve, teksa çdo vit Shqipëria investon rreth 400 milionë euro në infrastrukturën rrugore.

Po këto kosto të fryra të rrugëve mesa duket kanë një tarifë të fshehtë që është korrupsioni, pasi ndonëse Shqipëria shpenzon më shumë se vendet e rajonit për rrugët, ka rrugët me cilinëne më të dobët ndër vendet e Ballkanit

Raporti i fundit i OECD-së, pavarësisht këtyre shifrave të larta që investohen në ato që quhen rrugët e florinjta, vendi ynë renditet i fundit në Ballkanin Perëndimor për cilësinë dhe funksionalitetin e infrastrukturës.

Raporti thekson se Shqipëria ka treguesit më të dobët për transportin hekurudhor, një sektor pothuajse jashtë funksioni dhe përdorimi.

Rrugët në zonat rurale janë në gjendje të mjerueshme, ku mungesa e lidhjeve të mira e pamundëson zhvillimin lokal.

Nga njëra anë, qeveria promovon Shqipërinë si destinacion turistik europian dhe mburret me rritjen e numrit të vizitorëve, por nga ana tjetër, nuk u ofron atyre as rrugë të sigurta, as transport publik funksional, as hekurudha e as digjitalizim, duke ndikuar ndjeshëm përvojën e vizitorëve dhe zhvillimin e turizmit.

OECD paralajmëron se mungesa e lidhjeve efikase rrugore dhe hekurudhore dëmton integrimin ekonomik dhe e kufizon konkurrueshmërinë e vendit në raport me fqinjët që kanë avancuar me investime strategjike.
Shqipëria ka shpallur objektivin për të qenë pjesë e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.

OECD e thotë qartë se pa investime serioze dhe të menaxhuara siç duhet në transport dhe infrastrukturë, Shqipëria nuk ka shanse të zhvillohet ekonomikisht, të integrohet në tregjet europiane apo të përmbushë objektivin e shpallur për anëtarësim në BE.

Kur një vend shpenzon më shumë se të gjithë dhe mbetet i fundit në renditje, nuk kemi të bëjmë me mungesë parash, por me abuzim të fondeve publike.