Fluks i jashtëzakonshëm në pikën kufitare të Vërmicës mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku kolonat kilometrike të makinave janë kthyer në makth për emigrantët kosovarë që po rikthehen për pushimet verore. Prej orësh, ata presin në radhë të gjata nën vapën përvëluese, duke u përballur me procedura të shtuara dhe burokraci të lodhshme.
Shkaku kryesor i këtij bllokimi është kërkesa e autoriteteve kosovare për pajisjen e automjeteve të huaja me të ashtuquajturin “karton jeshil”, një dokument sigurimi që kushtëzon hyrjen në territorin e Kosovës për ata që udhëtojnë me makina të regjistruara jashtë vendit. Edhe pse lëvizja për shtetasit e Shqipërisë dhe Kosovës është formalisht e lirë, radha nuk i ka kursyer as ata.
“Është absurde që në vitin 2025 ende të presim dy orë në kufi për një letër,” shprehet një drejtues mjeti i ardhur nga Zvicra. Shumë emigrantë thonë se “iu nxihet jeta” çdo verë kur vijnë në atdhe, teksa apelojnë për lehtësim të procedurave dhe respekt më të madh nga institucionet për bashkatdhetarët e diasporës.