Kosova është pranuar zyrtarisht si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale dhe Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme prestigjioze evropiane.
Sipas njoftimit, ky anëtarësim përfaqëson një arritje të rëndësishme për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), e cila ka qenë e përkushtuar në fuqizimin e arsimit profesional dhe përafrimin e tij me kërkesat reale të tregut të punës.
Synimet kryesore të këtij anëtarësimi përfshijnë:
Përfshirjen aktive të sektorit privat në arsimin dual;
Zgjerimin e ofertës për arsimin dual në bashkëpunim me bizneset;
Integrimin e arsimit dual në aftësimin dhe riaftësimin e të rriturve;
Krijimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive;
Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale.
Përmes EAfA-së, Kosova fiton mundësinë të angazhojë organizata të tjera vendore si odat ekonomike, shoqatat sektoriale dhe partnerët socialë në platformë, duke ndërtuar partneritete strategjike me kompani, organizata rinore dhe institucione arsimore në të gjithë Evropën.
EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit praktikat profesionale cilësore dhe efektive, mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, promovon pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje, dhe forcon angazhimin e autoriteteve vendore.
“Anëtarësimi i Kosovës në EAfA pritet të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit profesional, duke e forcuar pozitën e vendit si një partner serioz që synon cilësinë dhe integrimin në standardet evropiane të arsimit dhe punësimit”, thuhet në njoftim.