FLASH:

Kosova në listën e “vendeve të sigurta” nga BE – kufizime të reja për azilkërkuesit

Komisioni Evropian ka propozuar përfshirjen e Kosovës në listën e vendeve “të sigurta të origjinës”, së bashku me Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë. Ky vendim synon të përshpejtojë procedurat e kthimit të migrantëve dhe të kufizojë ndjeshëm mundësitë për qytetarët e këtyre shteteve për të kërkuar azil në Bashkimin Evropian.

Sipas Komisionerit për Migracionin, Magnus Brunner, shtetet anëtare përballen me një valë kërkesash për azil dhe nevojitet veprim i shpejtë për të shmangur vonesat dhe abuzimet me sistemin. Pas liberalizimit të vizave në janar 2024, numri i kosovarëve që kërkojnë azil në BE është rritur ndjeshëm, me Francën si destinacion kryesor që nga viti 2018.

Propozimi është pjesë e një reforme më të gjerë të BE-së për migracionin, që përfshin edhe krijimin e qendrave të kthimit jashtë territorit të bllokut. Aktualisht, më pak se 20% e migrantëve me urdhër dëbimi kthehen në vendin e origjinës. Propozimi i Komisionit do të shqyrtohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ndërsa qytetarët kosovarë mund të përballen së shpejti me refuzime më të shpejta dhe më pak mundësi për qëndrim.