Për nder të 249-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës është ndriçuar mbrëmjen e 4 korrikut me ngjyrat kuqe, bardh dhe kaltër – në simbolikë të flamurit amerikan dhe në shenjë mirënjohjeje për aleatin kryesor të vendit.
Ambasada e Kosovës në Uashington bëri të ditur këtë gjest simbolik përmes një postimi në rrjetin social X, duke e përshkruar si “shenjë të mirënjohjes së thellë dhe miqësisë së palëkundur” ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Në urimin e saj për festën kombëtare të amerikanëve, Ambasada shkruan: “Happy 4th of July!”
Kosova, ashtu si çdo vit, nderon aleancën strategjike me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar mbështetjen e pazëvendësueshme që ky partner ka dhënë në shtetndërtimin dhe zhvillimin demokratik të vendit.