Për herë të parë në historinë e saj, Kosova është bërë mikpritëse e komandës së një divizioni të ushtrisë amerikane, në kuadër të ushtrimit ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe 2025”, i cili nisi sot në Babaj të Bokës, Gjakovë.
Në këtë aktivitet marrin pjesë 25 mijë ushtarë nga 29 vende partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Ushtrimi do të zhvillohet për dy javë dhe përfshin lëvizje të shumta konvojesh ushtarake në rajonin e Gjakovës, veçanërisht në Aeroportin e Gjakovës dhe në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.
“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë zhvillimit të ushtrimit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën zyrtare, ku theksohet se ky angazhim synon rritjen e gatishmërisë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe fuqizimin e bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë.
Ushtrimi “Defender Europe 2025” zhvillohet në 18 shtete europiane, përfshirë Shqipërinë, Bullgarinë, Kroacinë, Çekinë, Finlandën, Greqinë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Norvegjinë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë dhe Suedinë.
Pjesëmarrja e Kosovës konsiderohet një hap kyç drejt integrimit të saj në strukturat e sigurisë europiane dhe ndërkombëtare, veçanërisht pasi vendi ishte përjashtuar nga ushtrimi i vitit 2023 për shkak të tensioneve të shtuara në veri.
Për Kosovën, kjo është një mundësi për të dëshmuar rolin e saj të ri si partner i besueshëm në arkitekturën e sigurisë së NATO-s dhe SHBA-së, duke u shfaqur jo vetëm si pjesëmarrëse, por edhe si vend pritës i një strukture të lartë komandimi ushtarak amerikan.







