Koreja e Veriut ka konfirmuar për herë të parë se ka trupa të saj që luftojnë krah për krah me rusët në Ukrainë.
Zyrtarët ukrainas besojnë se regjimi hermetik ka dërguar deri në 14,000 trupa, përfshirë 3,000 për të zëvendësuar humbjet e mëparshme, raportoi Sky News.
Gjithashtu, sipas një investigimi të Reuters, Koreja e Veriut ka furnizuar Rusinë me miliona predha artilerie në një përpjekje për të përmbysur balancën e konfliktit në favor të Moskës.
Sipas shefit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, Pheniani ka dërguar gjithashtu raketa balistike, 120 sisteme artilerie me rreze të gjatë dhe 120 sisteme raketash me lëshim të shumëfishtë.

Kjo përfaqëson paketën më të madhe të ndihmës ushtarake direkte që një vend i ka dhuruar Rusisë që nga fillimi i luftës.
Media shtetërore në Korenë e Veriut raportoi se luftëtarët nga ky vend i Azisë Lindore kanë bërë një “kontribut të rëndësishëm” në luftë duke dëbuar trupat ukrainase nga territori rus – një referencë që mendohet t’i referohet rajonit të Kurskut.
Udhëheqësi suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u citua të thoshte:
“Ata që luftuan për drejtësi janë të gjithë heronj dhe përfaqësues të nderit të atdheut.”

Megjithatë, liderët ushtarakë ukrainas kundërshtuan pretendimet e Phenianit, duke deklaruar se forcat ukrainase vazhdojnë të mbajnë pozicione në qytet.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Ruse, Valery Gerasimov, i tha presidentit Vladimir Putin:
“Dua të theksoj pjesëmarrjen e ushtarakëve të Republikës Popullore Demokratike të Koresë në çlirimin e zonave kufitare të Rajonit të Kurskut, të cilët, në përputhje me Traktatin e Partneritetit Strategjik Gjithëpërfshirës ndërmjet vendeve tona, ofruan ndihmë të konsiderueshme në shpartallimin e grupimeve pushtuese të forcave të armatosura ukrainase.
Ushtarët dhe oficerët e Ushtrisë Popullore të Koresë, duke kryer detyra luftarake krah për krah me ushtarët rusë, shfaqën profesionalizëm të lartë, qëndrueshmëri, guxim dhe heroizëm.”

Të premten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi se një raketë koreano-veriore u përdor për të goditur Kievin gjatë një sulmi shkatërrues që la të paktën 12 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Ai gjithashtu pretendoi se raketa përmbante komponentë të prodhuar nga kompani amerikane.
Sulmi, një nga më vdekjeprurësit në kryeqytetin ukrainas që nga korriku i kaluar, ndodhi në një moment kur përpjekjet për paqe duket se po përshpejtohen.
Pas zbulimeve të para, Zelensky reagoi në Telegram duke akuzuar kompanitë amerikane për furnizim të pjesëve për raketën.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump shprehu pakënaqësinë e tij për sulmet e fundit të Rusisë mbi Kievin, duke shkruar në platformën e tij Truth Social:
“Nuk jam i kënaqur me sulmet ruse mbi Kievin. Ishin të panevojshme dhe me kohë shumë të keqe.”
Trump i bëri thirrje Vladimir Putinit:
“Vladimir, NDALO! 5000 ushtarë po vdesin çdo javë. Le të arrijmë marrëveshjen e paqes!”
Gjatë rrugës për në Romë për funeralin e Papa Françeskut, Trump ngriti dyshime nëse Putin ishte i sinqertë në negociatat për paqen, duke sugjeruar se ndoshta duhen përdorur masa të tjera si “sanksione financiare” apo “sanksione sekondare”.
Muajin e kaluar, Kim Jong Un shprehu mbështetjen e tij të palëkundur për luftën e Rusisë në Ukrainë, duke premtuar përkrahje të vazhdueshme.
Kim u takua me sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Rusisë, Sergei Shoigu, në Phenian, ku diskutuan për luftën në Ukrainë, dialogjet me administratën Trump dhe situatën e sigurisë në Gadishullin Korean.
Të dyja palët riafirmuan gatishmërinë për të mbështetur “pa kushte” një traktat mbrojtjeje reciproke të nënshkruar vitin e kaluar në një samit në Phenian.
Në dhjetor, forcat ukrainase thuhet se kapën robin e parë të luftës nga Koreja e Veriut që luftonte përkrah trupave ruse.
Një fotografi tregonte ushtarin e plagosur të dërguar nga Kim Jong Un në ndihmë të forcave ruse në Kursk.
Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës së Koresë së Jugut konfirmoi kapjen e një rob lufte nga Ukraina dhe njoftoi më vonë se ai vdiq nga plagët.