Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur këtë të diel rreth orës 11:00 në lagjen nr. 14 të qytetit të Korçës ku një prift dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga çatia e kishës ku shërben.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi K. V., rreth 63 vjeç, është rrëzuar gjatë një momenti që ndodhej në çatinë e objektit fetar. Ai është transportuar menjëherë në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Sipas burimeve, prifti ortodoks Kristaq Viso është transportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës në kryeqytet, për shkak të dëmtimeve të rënda që ka pësuar.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm kur prifti Kristaq Viso ndihmonte një prift tjetër në riparimin e çatisë së Kishës së Shën Triadhës, pranë varrezave publike të qytetit të Korçës. Në një moment të papritur, ai ka rënë nga lartësia e çatisë, duke pësuar dëmtime të rënda trupore.
Sipas mjekëve, dëmtimet më të rënda i ka pësuar në kokë, gjë që ka bërë të nevojshme dërgimin e tij në Spitalin e Traumës për trajtim të specializuar. Prifti Kristaq Viso shërben si klerik në Kishën e Shën Thomait në fshatin Çiflig.







