Ndërkohë që Shqipëria përgatitet për zgjedhje, një skenar i njohur përsëritet: vota që nuk mbërrijnë, qytetarë që presin më kot dhe një KQZ që flet me shifra, por jo me përgjegjësi. Skandali më i fundit vjen nga Greqia, ku dhjetëra denoncime tregojnë se shumë qytetarë nuk kanë marrë fare zarfet për të votuar dhe jo për fajin e tyre.
Disa qytetarë nga diaspora pohojnë se nuk janë kontaktuar asnjëherë për të tërhequr zarfin, ndonëse KQZ përpiqet të hedhë fajin mbi adresat, mungesën e përgjigjeve apo “mungesën në shtëpi”.
Në një deklaratë që ngjan më shumë me një skenar, sesa me një institucion serioz, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, pranoi vetë se 21 mijë zarfe nuk janë shpërndarë ende, duke sqaruar me plot bindje se në 11 mijë raste adresat paskan qenë të pasakta, dhe në 10 mijë raste të tjera qytetarët nuk i janë përgjigjur njoftimeve. Siç duket, DHL paska nisur të përdorë pëllumba për dërgimin e zarfeve, dhe kush nuk përgjigjet brenda sekondës, thjesht… e humb të drejtën e votës.
Por e vërteta, sipas shumë denoncimeve, është shumë më e thjeshtë: zarfe që dorëzohen te persona të tretë, të cilët më shumë se kushdo tjetër dinë se ku banojnë votuesit e opozitës. E duke e ditur mirë se shumica e votave të diasporës shkojnë për opozitën, sistemi është koordinuar në mënyrë perfekte për të sabotuar këtë proces me një bashkëpunim të padiskutueshëm Patronazhist-KQZ.
Ndërkohë që zyrtarisht u kërkohet qytetarëve të paraqiten vetë në zyrat e DHL për të kërkuar zarfin që kurrë nuk u shkoi. Celibashi dhe institucionet përgjegjëse duket se janë më të shqetësuar të ruajnë “imazhin” sesa të garantojnë të drejtën e votës.
Nuk është mosfunksionim, kjo është thjeshtë strategjia e radhës.







