FLASH :

Kontrolli i mjediseve private, nuk mund të jetë akt grabitje

Nga Ylli Manjani/


Ka një keqkuptim të madh, një abuzim spektakolar me të drejtën që i jep ligji prokurorisë për të kryer kontrolle në hapësirat private, sigurisht nën autorizimin e gjykatës.

Tani, që të mos u lodh kokën duke spjeguar çfarë nuk duhet bërë, po u spjegoj shkurt se si duhet bërë një kontroll banese apo zyre private.

  1. Si fillim gjykata që autorizon kontrollin, duhet të përcaktojë qartë e shkoqur, ku lejohet kontrolli, në kuadër që cilit proçedim dhe çfarë konkretisht synon të sigurojë nga kontrolli. Gjykata është garanti i privatësisë në këtë rast jo noter i prokurorisë!
    Duhet mbajtu në konsideratë se kontrolli i hapëdirës private është mjet ekstrem dhe, lejohet vetëm kur me mjetet e tjera ka qenë e pamundur sigurimi i provës.
  2. Ata që shkojnë në vend për të kryer kontrollin, i cili lejohet nga ora 07:00 deri në 20:00, i bëjnë me dije personit, hapësira e të cilit mban diçka që i duhet hetimit, ekzakt se çfarë duan të sigurojnë nga kontrolli dhe e ftojnë personin ta dorëzojë vetë sendin apo dokumentin.
  3. Në momentin që personi e dorëzon vetë atë që kërkohet proçedura përfundon. Pra gjykata lejon mundësinë për kontroll, por nuk të jep lejen për kryerjen medoemos të tij, kur ska nevojë.
  4. Vetëm nëse personi rrefuzon ose nuk bashkëpunon, lejohet hyrja forcërisht në mjedis për të kryer kontroll, gjithmonë të fokusuar tek ajo që kërkohet.
  5. Nuk mund të ketë kontrolle pa fokus, pra të tipit “merrni çdo gjë që u duket e arsyeshme”, siç për fat të keq ndodh me vendime gjykate!!!
  6. Edhe në rastet e emergjencave, pra kur nuk pret puna për lejen e gjykatës, prokurori ndjek të njëjtën linjë, të njëjtin standart.

Ky është standarti.

Krahasojeni këtë standart me ato raste që keni dëgjuar dhe, mbase do kuptoni se sa i madh është abuzimi me të drejtën për kontroll.

Imagjinoni, të vijnë në shtëpi apo në zyrë private. Të thonë duam të kontrollojmë, pa të thënë asgjë. Të kanosin se do të hedhin hekurat. Të hyjnë si vandalë dhe ku shohin plaçkë e para ti marrin.

Grabitës të pastër!
Asnjë dallim nga grabitësit, megjithse edhe këta të fundit e dinë saktësisht se çkërkojnë tashmë nëpër banesa….

Pastaj ta nxjerrin inventarin në media. Dhe këtu je i dënuar direkt pa gjyq, nga telendisja publike.

E kështu me radhë, në vijim shko e kërko të drejtën e privatësisë tek afërmendsj gjykatat që rrinë si guakë përpara akteve të tilla të dhunshme.

Kushdo që mbron këtë abuzim është në bashkëpunim me grabitësin.