FLASH :

Konkurrenca për numrin e militantëve solli grushtet ndaj djalit të deputetit/ Bashkëshortja e Boçit: Do ta zbardhim deri në fund skemën banditeske!

Një incident i dhunshëm ka shpërthyer dje në takimin përmbyllës elektoral të Partisë Demokratike në Elbasan, ndërsa në skenë po fliste këshilltari amerikan i Sali Berishës, Philip Griffin. Përplasja fizike ndodhi mes disa simpatizantëve të PD-së, dhe viktimë e dhunës u bë Parid Boçi, djali i deputetit dhe nënkryetarit të PD-së, Luçiano Boçi.
Sipas burimeve nga vendngjarja, Parid Boçi është goditur me grushte dhe ka pësuar lëndime në kokë, për të cilat është dërguar në spital. Pamjet filmike tregojnë kaos dhe tensione të dukshme, në një miting që duhej të shërbente si kulmim i fushatës së Berishës për zgjedhjet e 11 majit.
Troç mëson se bëhet fjalë për një sherr banal mes të miturish, ku arsyeja ka qenë se kush kishte sjellë më tepër simpatizantë në miting.
Reagimet nuk kanë munguar. Partia Demokratike e Elbasanit e cilësoi incidentin si një sherr “tërësisht banal”, duke u përpjekur të minimizojë ngjarjen. Por familja Boçi ka reaguar fort ndaj kësaj deklarate.
Bashkëshortja e Luçiano Boçit, Blerina Boçi, reagoi me tone të ashpra në rrjetet sociale, duke e quajtur përplasjen “konflikt politik” dhe duke paralajmëruar se “skema banditeske do të zbardhet deri në fund”. Komenti i saj është fshirë nga faqja e PD Elbasan, duke nxitur edhe më shumë dyshime për një përplasje të brendshme në parti.
Ngjarja ndodhi përpara stadiumit “Elbasan Arena”, në prani të shumë simpatizantëve dhe figurave të larta të PD-së, ndërsa në skenë ndodhej Philip Griffin, një prej këshilltarëve më të afërt të Berishës, i njohur edhe për lidhjet me strategun republikan Chris LaCivita.

Përplasja ka thelluar përçarjet në kampin demokrat, duke rikthyer skenat e tensionit dhe dhunës politike mes grupeve rivale brenda së njëjtës parti.