FLASH :

Komisioneri i BE-së i tronditur nga rrezikshmëria e produkteve të shitura nga Shein dhe Temu, paralajmërohet goditje ndaj platformave kineze

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Drejtësinë ka shprehur tronditje për nivelin e toksicitetit dhe rreziqeve që paraqesin disa nga produktet që shiten nga Shein dhe Temu, në një kohë kur po ndërmerren masa për ndalimin e mallrave të rrezikshëm të ardhur nga këto platforma kineze popullore.

Me rreth 12 milionë paketa me vlerë të ulët që hyjnë çdo ditë në BE nga shitës online jashtë bllokut, Michael McGrath është zotuar të godasë shitjen e produkteve që shkelin hapur ligjet evropiane.

Ai është në pritje të rezultateve të një operacioni të fshehtë të tipit “blerës i maskuar” që po zhvillohet në të gjithë BE-në, për të verifikuar provat tashmë të mbledhura se këta shitës kinezë po shmangin rregullat evropiane.

Ndër rastet më shqetësuese që ka hasur McGrath janë biberonët për foshnja me rruaza që shkëputen lehtësisht, duke krijuar rrezik mbytjeje, pasi nuk përmbanin hapjen e parashikuar me përmasa të tilla që një fëmijë të mund të vazhdojë të marrë frymë në rast gëlltitjeje aksidentale.

Sipas një raporti të publikuar këtë muaj nga eurodeputetë, u përmendën edhe raste të tjera si:

manta për fëmijë me përbërje kimike toksike,

syze dielli pa filtër UV,

pantallona të shkurtra për fëmijë me rripa të gjatë, që paraqesin rrezik pengese.

Po ashtu, janë gjetur edhe produkte kozmetike që përmbajnë butylphenyl methylpropional (i njohur si Lillal), një substancë që BE-ja e ka shpallur “jashtëzakonisht shqetësuese” dhe e ka ndaluar që nga viti 2022 për shkak të ndikimeve të mundshme në fertilitet dhe zhvillimin e fetusit. Qeveria britanike u ka kërkuar qytetarëve vitin e kaluar të hedhin çdo produkt që përmban këtë përbërës.

“Jam i tronditur nga kjo situatë dhe mendoj se kemi një detyrë për të mbrojtur konsumatorët evropianë,” tha McGrath për The Guardian.

Autoritetet kombëtare të mbrojtjes së konsumatorit në BE lëshojnë njoftime të shpejta për produktet jo-ushqimore të pasigurta përmes sistemit të quajtur Safety Gate, i cili është gjithashtu i hapur për ankesat e qytetarëve.

Vitin e kaluar, Safety Gate regjistroi një rekord prej 4,137 sinjalizimesh, më shumë se një e treta prej tyre për produkte kozmetike, pasuar nga lodrat, pajisjet elektrike, produktet automobilistike dhe ato kimike.

Përveç çështjeve të sigurisë, McGrath shprehu shqetësim se rritja e platformave si Shein dhe Temu po dëmton bizneset evropiane përmes konkurrencës së padrejtë.

“Rritja është e jashtëzakonshme dhe ka ushtruar presion të madh mbi sistemet në nivel shtetesh anëtare,” tha ai.

“Jam i vendosur që të forcojmë zbatimin e ligjeve tona për sigurinë e produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorit. Nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e konsumatorëve, por kemi të bëjmë edhe me një problematikë të rëndë të konkurrencës së ndershme për bizneset evropiane, të cilat pritet të përballojnë kosto të mëdha për të përmbushur rregullat, ndërsa shitësit nga jashtë nuk i zbatojnë fare ato.”

Sipas të dhënave të BE-së, në vitin 2024 pritet të hyjnë në BE 4.6 miliardë paketa me vlerë nën 150 euro – dy herë më shumë se në 2023 dhe trefish më shumë se në 2022.

BE-ja po shqyrton heqjen e kufirit doganor prej 150 eurosh dhe vendosjen e një tarife për çdo paketë, si masë që do të dekurajojë blerjet me vlerë të ulët dhe do të ndihmojë në mbulimin e kostove të shtesë për kontroll doganor.

Kjo do të ndiqte shembullin e SHBA-së, ku ish-presidenti Donald Trump firmosi një urdhër ekzekutiv për të hequr kufirin pa taksa prej 800 dollarësh për produktet kineze. Nga 1 qershori i këtij viti, blerësit amerikanë paguajnë një taksë shtesë prej 30% ose minimumi 50 dollarë për çdo artikull.

Një tjetër mundësi është krijimi i një autoriteti doganor në nivel BE-je për të përballuar sfidat sistemike.

McGrath tha se “mbetet për t’u parë” nëse kjo çështje do të diskutohet në samitin BE-Kinë më 25 korrik në Pekin, por ai vetë ka në plan ta trajtojë drejtpërdrejt këtë temë.

“Sigurisht që do të angazhohemi drejtpërdrejt me autoritetet kineze dhe kemi planifikuar një vizitë më vonë gjatë këtij viti,” tha ai.

Shein, nga ana e saj, deklaroi se këtë vit po investon 15 milionë dollarë në nisma për përputhshmëri dhe siguri, duke përfshirë 2.5 milionë testime të produkteve dhe cilësisë, si dhe partneritete me 15 qendra testimi, përfshirë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani. Kompania thotë se ka larguar 500 shitës që nga hapja e platformës së saj.

Një zëdhënës i Shein deklaroi:

“Fitimi dhe ruajtja e besimit të konsumatorëve tanë është prioritet absolut. Ne jemi tërësisht të përkushtuar për të siguruar që produktet tona të jenë të sigurta dhe në përputhje me rregulloret.

Të gjithë shitësit tanë janë të detyruar të respektojnë kodin e sjelljes së Shein dhe standardet tona të rrepta të sigurisë, si dhe ligjet dhe rregulloret përkatëse në tregjet ku operojmë.