Ish-bashkëshortja e Justin Trudeau, Sophie Grégoire Trudeau, i dha lamtumirën kohës së tij në detyrë me një postim që tërhoqi vëmendjen, duke mos përmendur pothuajse fare atë vetë.
Trudeau, 53 vjeç, dha dorëheqjen si Kryeministër i Kanadasë në janar, pasi përballoi javë të tëra presioni nga kolegët e partisë mes një përçarjeje të thellë për mënyrën se si duhej menaxhuar marrëdhënia me Donald Trump.
Edhe pse Trudeau dhe ish-bashkëshortja e tij u ndanë në vitin 2023, ish-prezantuesja e njohur televizive ndau reflektimet e saj mbi këtë periudhë duke publikuar tre foto nga fjalimi i tij lamtumirës në Instagram të hënën.
Grégoire, 49 vjeç, postoi një foto të vajzës së tyre 16-vjeçare, Ella-Grace, një tjetër të Trudeau me lot në sy dhe një të Kryeministrit të ri Mark Carney me bashkëshorten e tij, Diana.
Në përshkrimin e gjatë të postimit, ajo foli për veten, fëmijët, Partinë Liberale dhe liderin e saj të ri – duke përmendur shumë pak arritjet e ish-bashkëshortit.
“Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm, apo jo?” shkroi Grégoire. “Ndoshta një ditë do të gjej fjalët për të përshkruar thellësinë e kësaj eksperience si një njeri i thjeshtë, një grua, një ‘Zonjë e Parë’ jozyrtare dhe një nënë që rriti tre fëmijë, babai i dashur i të cilëve, Justin, i shërbeu plotësisht vendit të tij.”
“Kur një kapitull mbyllet, një i ri fillon. Jam shumë krenare për punën e palodhur që ka bërë ekipi Liberal në çdo cep të vendit dhe i përshëndes sakrificat që keni bërë në jetën tuaj. E di nga përvoja e parë se çfarë kërkojnë ato.”
Grégoire vlerësoi gjithashtu vajzën e saj, e cila prezantoi Trudeau gjatë shpalljes së lidershipit të ri të Partisë Liberale të dielën.