FLASH :

Kolesteroli dhe truri: Çrregullimet që mund të shkaktojë dhe mënyra për t’i parandaluar

Kolesteroli është një lloj yndyre thelbësore për funksione të shumta në trup, përfshirë trurin. Rreth 20-25% e kolesterolit të trupit ndodhet në tru, ku luan një rol të rëndësishëm në ndihmën e ndërtimit dhe ruajtjes së lidhjeve ndërmjet qelizave nervore. Këto lidhje janë kyçe për mësimin, kujtesën dhe funksionimin e përgjithshëm të trurit. Megjithatë, kolesteroli në gjak nuk kalon në tru, prandaj truri duhet ta prodhojë atë vetë.

Niveli i ulët i kolesterolit në tru mund të ndikojë në mënyrën se si qelizat nervore lidhën me njëra-tjetrën, duke shkaktuar probleme me kujtesën dhe dëmtim të qelizave nervore. Çrregullimet në nivelin e kolesterolit të trurit lidhen me sëmundje neurodegjenerative, si Alzheimer dhe Parkinson.

Në anën tjetër, kolesteroli i gjakut, veçanërisht ai me densitet të ulët (LDL), shpesh quhet “kolesterol i keq” dhe ka lidhje me funksionin e trurit dhe rënien e aftësive mendore. Studime të shumta kanë treguar se nivelet e larta të kolesterolit mund të kontribuojnë në dobësimin e kujtesës dhe zhvillimin e demencës me kalimin e moshës. Megjithatë, tek të moshuarit, kjo lidhje mbetet e paqartë, dhe disa studime sugjerojnë se kolesteroli i lartë mund të ketë efekte mbrojtëse në shëndetin e trurit.

Përdorimi i statinave për uljen e niveleve të kolesterolit, i cili ka shkaktuar shqetësime lidhur me rënien e funksionit mendor, nuk ka treguar lidhje me ndryshime të mëdha në funksionin e trurit në studimet e fundit.