Një 46-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi u kap duke shpërndarë kokainë të ndarë në doza të gatshme për shitje. Maklit Muçaj u ndalua gjatë një kontrolli në dhomën ku qëndronte, ku u gjetën dhe sekuestruan 126 doza të lëndës narkotike, një peshore elektronike dhe 136.400 lekë, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Operacioni policor, i koduar “Reset”, synonte goditjen e shpërndarjes së drogës në doza të vogla. Materialet e sekuestruara u morën si prova për vijimin e hetimeve nga autoritetet përkatëse.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pasi kanë siguruar informacion se një shtetas posedonte lëndë narkotike me qëllim shitjeje, kryesisht në lokalet e natës në zonën bregdetare të Dhërmiut, kanë organizuar dhe finalizuar, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, operacionin policor të koduar “Reset”, si rezultat i të cilit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
M. M., 46 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte ky shtetas, në Drimadhes, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 126 doza lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë, 136 400 lekë të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike dhe një peshore elektronike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.