Veprimet procedurale të bëra nga SPAK janë bërë shkak për arrestimin e “të fortit të Shkodrës, Safet Bajri”, ditën e djeshme në qytetin e Shkodrës.
Safeti, bashkë me grupin e tij kriminal, të akuzuar për krime të rënda, janë bërë prej shumë kohësh kompetencë e Prokurorisë së Posaçme, e cila zbardhi pas 7 vitesh çështjen e vrasjes së Fatbardh Licit, i cili u ekzekutua më 10 gusht të vitit 2018. SPAK njofton se:
“Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedimi penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim; Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Safet Bajri kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatmir Lici, i afërm i shtetasit Ibrahim Lici. Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet, ndër të tjera, me atribuimin që shtetasi Behar Bajri i bën shtetasit Ibrahim Lici për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit Boran Berçana.”
Safet Bajri, ose ndryshe Koka e Krimit në Shkodër, vjen nga një familje kontingjentesh, të cilët kanë qenë gjithmonë të paprekur nga policia, por në të njëjtën kohë gjithmonë të parët të dyshuar në raste të ngjarjeve të rënda kriminale.
Sipas njoftimit të bërë nga SPAK, më datë 17 shkurt i është drejtuar Gjykatës së Posaçme kërkesa për arrestimin e tij. Pas një kontrolli të dyshuar në banesën e tij, ku jo vetëm nuk është gjetur asgjë, por as vetë ai nuk ndodhej aty, ai pritej nga forcat RENEA në polici, ku do të njihej me akuzën e tij si dhe do t’i kërkohej për herë të dytë një kampion ADN-je.
Kjo akuzë e rëndë është shtuar gjithashtu mbi morinë e akuzave për dy bashkëpunëtorët e Bajrit, Astmer Bilalin dhe kushëririn e tij, Behar Bajri.