FLASH :

“Kodi sekret” i iPhone zbulon nëse dikush po spiunon mesazhet tuaja

Apple ka zbuluar një funksion sigurie pak të njohur, i përshkruar shpesh si një “kod sekret”, që mund të tregojë nëse dikush po përgjon bisedat tuaja private në iMessage.

Çdo chat në iMessage gjeneron një kod unik sigurie, i ngjashëm me një “gjurmë dixhitale”. Nëse ju dhe kontakti juaj shihni të njëjtin kod, mesazhet janë të sigurta dhe të koduara fund më fund. Por nëse kodet nuk përputhen, kjo mund të nënkuptojë që mesazhet po ndërpriten gjatë transmetimit, ose më thjesht se personi tjetër ka ndërruar telefon apo ka rinstaluar aplikacionin.

Për ta bërë procesin më të lehtë, Apple ka prezantuar opsionin Contact Key Verification, që gjendet tek Settings → Apple ID. Ky funksion shfaq një kod verifikimi që ju dhe kontaktet tuaja mund ta krahasoni. Nëse kodet përputhen, mund të shtypni “Mark As Verified”, duke e ruajtur atë kod në kartelën e kontaktit. Në këtë mënyrë, sistemi ju njofton automatikisht nëse kodi ndryshon më vonë.

“Kur përdorni iMessage, mesazhet tuaja janë të enkriptuara fund më fund, që do të thotë se askush, as Apple, nuk mund t’i lexojë ato gjatë transmetimit,” shpjegon kompania. “Contact Key Verification ofron një shtresë shtesë mbrojtjeje për të siguruar që po komunikoni vetëm me personin e synuar.”

Përdoruesit mund të verifikojnë manualisht kontaktet, duke shkëmbyer një kod të gjeneruar njëkohësisht në Conversation Details, ose përmes një Public Verification Code që mund të shpërndahet publikisht, pa rrezikuar privatësinë. Nëse kodi përputhet, në kartelën e kontaktit shfaqet një shenjë e gjelbër verifikimi.

Ekspertët e sigurisë sugjerojnë që përdoruesit të aktivizojnë këtë opsion për të shmangur rreziqet e spiunimit dixhital dhe për të rritur privatësinë në bisedat e tyre.