Në një kohë që Shqipëria është kthyer në parajsen financiare të grupeve të strukturura kriminale që pastrojnë para në ndërtim dhe turizëm, qeveria ka propozuar Kodin e Ri Penal, hartimi i të cilit zgjati dy vite dhe për fat të keq i mungoi transparenca.
Në një vend ku në shkolla janë emëruar si drejtues e arsimtarë trafikantë droge është hipokrizi që kodi penal të parashikojë 3 vite burg për dikë që hap profile false në rrjete sociale apo dy vite burg për dikë që prish qetësinë publike.
Pika më nevralgjike e këtij Kodi Penal është dhurata që kanë parashikuar për të dënuarit përjetë, që pas 35 vitesh burg mund të kërkojnë lirinë me kusht.
Pra, njerëz që kanë kryer krime monstruoze si Ritvan Zykaj që vrau 8 anëtarët e familjes së tij apo krerët e Bandave të Vlorës, Durrësit, Lushnjës, Elbasanit që kanë organizuar vrasje në kufijtë e masakrave pas 35 vitesh burg mund të lëvizin të lirë.
Përballë kësaj dhurate për të dënuarit përjetë, qytetari i zakonshëm do ta ketë lirinë në mëshirë të prokurorit pasi edhe nëse nuk bën kolaudimin e makinës rrezikon burgun.
Në nenin 424 të draftit të Kodit të Ri Penal thuhet se moskryerja e kontrollit teknik të mjeteve motorike apo në kundërshtim me ligjin do të konsiderohet kundërvajtje penale që dënohet me gjobë deri në dy vite burg.
A do ta përcaktojë tarifa e korrupsionit dënimin nga gjobë deri në burg?
Bashkimi i krimeve me kundërvajtjet i jep fuqi prokurorisë që të kthejë çdo gabim administrativ të një qytetari në vepër penale që i kanos burgun.
Shqipëria që prej periudhës së kanabizimit të vendit përballet me rritje masive të kriminalizimit.
Kodi i Ri Penal përtej valës së eksodit drejt vendeve të Bashkimit Evropian, në kushtet kur drejtësia e re është larguar nga qytetari rrezikon që burgjet të popullohen dhe të krijojë një kaos të paprecedentë në sistemin e drejtësisë.
Kodi i ri penal nuk është as premtim elektoral as program partie, por është baza e mirëfunksionimit të një shoqërie.