FLASH :

Kodi i Ri Penal: 10 ndryshimet kryesore që qytetarët duhet të dinë

Drafti i ri i Kodit Penal, i paraqitur nga Ministria e Drejtësisë, sjell një riformatim të rëndësishëm të sistemit të ndëshkimit penal në Shqipëri, duke u përpjekur të harmonizojë legjislacionin me standardet e Bashkimit Evropian. Ndryshimet prekin të dënuarit, të miturit, subjektet juridike dhe adresojnë çështje të reja si krimet mjedisore e kibernetike. Ja çfarë duhet të dini:

  1.  Burgimi i përjetshëm nuk do të jetë më “përjetë”
     • Çdo i dënuar me burgim të përjetshëm do të ketë mundësinë të kërkojë lirim me kusht, sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
  2. Mbrojtje dhe rehabilitim për të miturit
     • Dënimi penal do të jetë opsioni i fundit për të miturit. Fillimisht do të zbatohen masa si: këshillim, përkujdesje, ndjekje shkollore, mbikëqyrje e veçantë etj.
     • Krimet ndaj të miturve do të ndëshkohen më rëndë, ndërsa rritet përgjegjësia për ata që kujdesen për ta.
  3. Theksi mbi rehabilitimin
     • Politika penale synon riintegrimin, jo thjesht ndëshkimin. Parashikohet forcim i të drejtës për rishikim të dënimit dhe trajtim i diferencuar për rastet me rrethana lehtësuese.
  4. Përgjegjësi penale për subjektet juridike
     • Bizneset, OJF-të, institucionet dhe entitetet e tjera do të mund të mbajnë përgjegjësi penale për veprimet e tyre, sipas kushteve të përcaktuara qartë në kod.
  5. Shkeljet fiskale: fillimisht administrative, më pas penale
     • Për shkeljet e para në fushën e tatimeve dhe doganave parashikohen gjoba dhe masa administrative.
     • Nëse shkeljet përsëriten ose shkaktojnë dëm të madh, ato do të kalojnë në ndjekje penale.
  6.  Përsëritja e krimit rrit dënimin
     • Personat që kryejnë të njëjtën vepër penale më shumë se një herë do të ndëshkohen më ashpër, duke forcuar politikën kundër recidivizmit.
  7. Futet për herë të parë “lajthimi në fakt”
     • Nëse një person kryen një krim për shkak të një gabimi faktik (keqkuptim rrethanash), kjo do të merret parasysh për ulje ose përjashtim nga dënimi.
  8.  Krimet mjedisore dhe ekstremizmi marrin më shumë rëndësi
     • Kodi përafrohet me direktivat e BE-së për krime ndaj mjedisit, krime kibernetike, ekstremizëm dhe mbrojtje të fondeve evropiane.
  9. Fund 30 viteve të arnimeve ligjore
     • Kodi aktual, i miratuar më 1995, ka pësuar ndërhyrje të shumta, shpesh pa koherencë. Kodi i ri synon një strukturë të qartë, moderne dhe të qëndrueshme.
  10. Një hap drejt integrimit evropian
     • Kodi i ri është një kërkesë e kahershme e Bashkimit Evropian. Ai synon të përafrojë sistemin penal shqiptar me standardet e vendeve anëtare.

Kodi i ri pritet të shkaktojë debat të gjerë publik dhe institucional, por konsiderohet një reformë e domosdoshme për një drejtësi më efikase, humane dhe europiane.