Pas incidentit të rëndë në ndeshjen e femrave mes Apolonisë së Fierit dhe Gramshit, ku Koço Kokëdhima, i shoqëruar edhe nga zyrtarë të tjerë të klubit janë futur në fushë dhe kanë shtyrë e ofenduar arbitrin e ndeshjes, ish-presidenti i Apolonisë ka vijuar me tone të ashpra në një debat televiziv.
Në një lidhje live për emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, Kokëdhima pati një përplasje të fortë me ish-arbitrin Lorenc Jemini. Debati mes tyre agravoi kur Jemini i theksoi Kokëdhimës se nuk kishte asnjë të drejtë të futej në fushë.
“Unë të ndaloj të futesh në fushën e blertë, nuk është aty zona jote fare. Ka rregullore që ta ndalon,” u shpreh Jemini, duke mbrojtur pozicionin e arbitrave në ngjarjen e ndodhur.
Nga ana tjetër, Kokëdhima nuk i pranoi kritikat dhe reagoi me akuza të rënda ndaj Jeminit: “Ti je i turpshëm, ti je një racë me këta, je i paguar për këto qëndrime.”
Në fund të intervistës, ai deklaroi me vendosmëri: “Ky shpirt nuk do të thyhet para këtyre ngjarjeve, me çfarëdo lloj pasoje.”
Ky incident dhe deklaratat e Kokëdhimës kanë shkaktuar debat të madh në opinionin publik dhe në komunitetin e futbollit.