Në një kohë kur sulmet kibernetike po shtohen me ritme shqetësuese, qytetarët shqiptarë ndihen gjithnjë e më të pambrojtur. Institucioni që supozohet të garantojë sigurinë digjitale të vendit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duket se është krejtësisht jashtë loje. Në krye të këtij institucioni qëndron Mirlinda Karçanaj, por pyetja që shtrohet me të drejtë është: Çfarë po bën zonja Karçanaj ndërkohë që qytetarët janë të ekspozuar ndaj rrezikut të përditshëm?
Prej javësh, Lajme TROC po informon publikun për situatën alarmante të sigurisë kibernetike në Shqipëri. Paralelisht, edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dhënë alarmin për një hakerim global në rritje. Dhe ndërsa bota po përgatitet për të përballuar një valë të re sulmesh digjitale, në Shqipëri qytetarët marrin SMS të dyshimta që mbajnë erën e hakerimit, madje edhe nga institucione financiare të mëdha si Raiffeisen Bank.
Rasti i bërë publik nga JOQ tregon se klientët e kësaj banke kanë filluar të marrin njoftime të çuditshme, që lënë pak vend për dyshim – bëhet fjalë për një ndërhyrje kibernetike. Dhe ndërsa situata është në këtë pikë, AKSHI hesht, dhe me të hesht edhe drejtuesja e saj, zonja Karçanaj.
Në vend që të njoftojë publikun, të reagojë me transparencë apo të marrë masa parandaluese, AKSHI vazhdon të funksionojë në errësirë, duke u mjaftuar me fasadën e propagandës institucionale dhe jo me mbrojtjen reale të qytetarëve.
Ku është Mirlinda Karçanaj në gjithë këtë kaos? Kujt i shërben një institucion që nuk ngre asnjëherë zërin për të mbrojtur të dhënat e qytetarëve të vet? Çfarë kuptimi ka ekzistenca e një agjencie të sigurisë informatike nëse ajo nuk e përmbush as detyrën themelore të saj?
Në kohën kur hakerët godasin përditë, mungesa e përgjegjësisë dhe transparencës nga AKSHI nuk është thjesht dështim – është rrezik kombëtar.






