FLASH :

Klasifikimi botëror për shpejtësinë e internetit: Shqipëria e 77-a

Sipas raportit të publikuar së fundmi nga platforma ndërkombëtare Speedtest.net për vitin 2025, Shqipëria renditet në vendin e 77-të nga 152 shtete të analizuara, me një shpejtësi mesatare interneti prej 80.32 megabit për sekondë. Përdorimi i internetit është kthyer tashmë në një pjesë thelbësore të jetës së përditshme në Shqipëri dhe në mbarë botën. Qoftë për punë, qasje në informacion, apo thjesht për argëtim, lidhja me rrjetin është bërë më e rëndësishme se kurrë. Por sa e shpejtë është në të vërtetë lidhja e internetit në vendin tonë?
Sipas raportit të publikuar së fundmi nga platforma ndërkombëtare Speedtest.net për vitin 2025, Shqipëria renditet në vendin e 77-të nga 152 shtete të analizuara, me një shpejtësi mesatare interneti prej 80.32-megabit për sekondë.


Në rajon, Shqipëria nuk qëndron në krye të tabelës. Mali i Zi del përpara me një vend të 54-t, duke treguar një infrastrukturë më të avancuar në këtë drejtim. Serbia ndodhet në vendin e 66-të, Kosova në të 74-in, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet pas me 47.6 Mbps, duke u renditur më poshtë se Shqipëria. Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina ka performancën më të dobët në rajon, me vetëm 33.2 Mbps, duke u pozicionuar në vendin e 119-të.


Në nivel global, vendet aziatike vijojnë të jenë lidere absolute në shpejtësinë e internetit. Singapori kryeson listën botërore me një shpejtësi mesatare mahnitëse prej 336 megabit për sekondë. Pas tij renditen Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Hong Kongu, ndërsa në Europë, Franca mban fronin me 287 Mbps. Në fundin e listës qëndrojnë vendet me infrastrukturë të dobët dhe sfida të mëdha politike apo ekonomike. Kuba, për shembull, është e fundit në renditje për nga shpejtësia e internetit, e ndjekur nga shtete si Afganistani, Siria dhe Turkmenistani.
Vitet e fundit, Shqipëria ka ndërmarrë hapa për modernizimin e rrjeteve të internetit, përfshirë futjen e teknologjisë 5G dhe investimet në rrjetet shtëpiake. Megjithatë, rezultatet tregojnë se ka ende shumë hapësirë për përmirësim, veçanërisht për të arritur standardet e vendeve të zhvilluara. Ekspertët theksojnë se investimet e mëtejshme në infrastrukturë, konkurrenca më e madhe mes ofruesve të shërbimit dhe rritja e cilësisë teknologjike do të jenë vendimtare për të përmirësuar renditjen e Shqipërisë në vitet në vijim.