FLASH :

Ky atentat tragjik në Budva shkaktoi 70 km trafik deri në Muriqan

Një atentat i ndodhur në Budva mbrëmjen e kaluar ka shkaktuar kaos në qarkullim deri 70 kilometra më larg, në pikën kufitare të Muriqanit. Qindra automjete kanë pritur me orë të tëra për të kaluar drejt Shqipërisë, ndërsa radha e mjeteve ka shkuar deri në 5-6 kilometra.

Shkak u bë vendosja e nivelit të lartë të alarmit nga policia malazeze pas plagosjes së Marko Ljubiša, i njohur si “Kan”, një figurë e njohur e botës së krimit dhe i afërt me klanin “Škaljari”. Ai u qëllua me disa plumba në pishinën e një hoteli në Pržno, ku njëri prej tyre i kaloi pranë kokës, duke i shkaktuar një plagë të lehtë. Policia dyshonte se atentatori mund të tentonte arratisjen drejt Shqipërisë dhe për këtë arsye aplikoi kontrolle të imta ndaj shtetasve 18-35 vjeç.

Sipas hetimeve, vetëm pak orë pas ngjarjes, pranë plazhit Crvena Glavica u gjet një xhip që dyshohet se ishte përdorur në planin e ekzekutimit. Kan, i cili ishte paralajmëruar dy muaj më parë nga policia se jeta e tij ishte në rrezik, e kishte injoruar këshillën dhe vijonte të frekuentonte vendet publike. Ai ka qenë disa herë shënjestër e atentateve të dështuara dhe emri i tij është lidhur me konflikte të ashpra mes grupeve kriminale në rajon.

Pas kërkesës së qeverisë shqiptare, mesditën e sotme u rikthyen procedurat e përshpejtuara në kufi. Por sapo kaluan në territorin shqiptar, qindra emigrantë dhe turistë u përballën me një tjetër bllokim – hyrjen e qytetit të Shkodrës. Radhët për të kaluar urën e Bunës arritën deri në 5 kilometra, duke konfirmuar se kjo pikë mbetet një nga nyjet më problematike të qarkullimit, ku çdo ditë krijohen bllokime si në hyrje, ashtu edhe në dalje të qytetit.