Me para të pista të korrupsionit politik dhe trafiqeve të drogës, në qendër të Tiranës janë ngritur kulla që shkojnë deri në 30 apo 40 kate.
Por pas këtij investimi pa plan, por vetëm në ankthin e pastrimit të shpejtë të parave, politikanët e korruptuar dhe trafikantët e drogës, kanë parë që miliona apo miliarda euro të tyre të murosen në një beton i cili po kthehet në një stok të frikshëm apartamentesh të pashitura në qendër të Tiranës.
Arsye se përse fluska e çmimit fiktiv të apartamenteve në qendër të Tiranës do të plasë ka shumë. Çmimet jonormale dhe pa logjikë tregu dhe që kanë infektuar të gjithë tregun dhe që shkojnë edhe në 3 mijë apo 5 mijë euro metri katror për një apartament në qendër, në kushtet e një tregu normal, me konkurrencë perfektë, tashmë do të ishin ulur me kohë.
Por edhe artifica e injektimit të parave të krimit dhe korrupsionit ka një limit dhe një logjikë tregu, përtej të cilës, çdo apartament do të mbetet stok dhe asnjë i vetëm nuk do të shitet më.
Në fakt kjo tabele çmimesh e apartamenteve në rajone të ndryshme të Italisë, tregon se një apartament në qendrën e betonizuar dhe me ajër jo cilësor në Tiranë mund të kushtojë më shumë se një apartament në qendër të Milanos, Firences, Romës apo Napolit.
Kjo marrëzi do të marrë fund kur investitorët të kuptojnë se për të njëjtën vlerë të investimit, ata mund të blejnë në Italinë me kulturë shekullore turizmi dhe me standarde më të lartë jetese.
Në atë pikë, më në fund tregu i apartamenteve në Shqipëri do të çlirohet nga kuçedra e çmimeve, flluska do të plasë dhe njerëzit mund të blejnë më në fund me çmime normale, 40% më lirë se ato që janë sot.