Policia Kufitare u vjen në ndihmë në dy raste në Vlorë dhe Dhërmi, 8 shtetasve që kishin mbetur në det për shkak të problemeve me mjetet e tyre lundruese.
Pas marrjes së njoftimit nga SPK Triport, se një gomone me 4 shtetas në bord kishte pësuar defekt rreth 1 milje larg zonës së Shën Janit, u organizua menjëherë puna për t’u ardhur në ndihmë. Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të SPK Triport u nis menjëherë drejt vendit të raportuar dhe bëri të mundur shoqërimin e gomones, e cila kishte pësuar defekt, deri në stacion, së bashku me 4 shtetasit në bord, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas marrjes së njoftimit nga SPK Dhërmi, se 4 shtetas që po lundronin me kanoe në plazhin e Porto Palermos ishin bllokuar në det dhe kërkonin ndihmë, u organizua menjëherë puna për t’u ardhur në ndihmë. Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të SPK Dhërmi u nis drejt vendit të raportuar dhe bëri të mundur shoqërimin e 4 shtetasve në bregdet, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia Kufitare vijon të qëndrojë në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë në hapësirat detare, duke reaguar me profesionalizëm në çdo situatë emergjente.