Qeveria kineze ka nisur për herë të parë një skemë kombëtare subvencionesh për prindërit, në përpjekje për të rritur normat e lindshmërisë që po bien ndjeshëm. Çdo familje do të përfitojë 3,600 juanë në vit (rreth 375 paund ose 500 dollarë) për çdo fëmijë nën moshën tre vjeç. Skema pritet të ndihmojë rreth 20 milionë familje dhe do të aplikohet në mënyrë retroaktive që nga fillimi i vitit 2024.
Në total, prindërit mund të përfitojnë deri në 10,800 juanë për çdo fëmijë. Edhe familjet me fëmijë të lindur nga viti 2022 deri në 2024 do të kenë të drejtë për përfitime të pjesshme. Masa pason një sërë nismash të ngjashme nga autoritetet lokale për të nxitur lindjet, përfshirë qytetin Hohhot që ofron deri në 100,000 juanë për çiftet me të paktën tre fëmijë, apo Shenyang që jep 500 juanë në muaj për fëmijën e tretë.
Kostoja mesatare për rritjen e një fëmije deri në moshën 17-vjeçare në Kinë është 75,700 dollarë, sipas një studimi nga Instituti YuWa. Ndërkohë, popullsia e Kinës ka rënë për të tretin vit radhazi në vitin 2024, me 9.54 milionë lindje të regjistruara, ndërsa vendi përballet me një krizë demografike dhe plakje të shpejtë të popullsisë.