Rusia ka nisur një ofensivë të re ajrore në Kherson të Ukrainës, me qëllim ndarjen e qytetit në dy pjesë dhe rifitimin e kontrollit në jug të vendit. Të dielën, një seri sulmesh me dronë dhe raketa goditën urën që lidh ishullin Korabel me pjesën tjetër të qytetit, duke detyruar autoritetet të evakuojnë me shpejtësi rreth 1,800 civilë që jetonin ende në zonë.
Gjatë tre ditëve të fundit, evakuimet janë zhvilluar pa ndërhyrje direkte nga sulmet, por të mërkurën në mbrëmje, Rusia rifilloi sulmet intensive në zonën e urës dhe në ishull, ku mendohet se ndodhen edhe forca ushtarake ukrainase.
Blogerët ushtarakë rusë paralajmëruan gjithashtu për goditjen e rrugës kryesore që të çon në Kherson nga veriu, duke përdorur dronë me rreze të gjatë. Megjithatë, CNN raportoi se rruga vazhdonte të përdorej nga automjete civile dhe transporti mallrash.
Që nga çlirimi i Khersonit në nëntor 2022, pas një kundërofensive të suksesshme ukrainase, kontrolli i këtij qyteti ka mbetur një objektiv strategjik për presidentin rus Vladimir Putin. Tani, duket se Rusia po përpiqet të ndajë Korabelin nga qyteti përmes bombardimeve intensive, duke hapur rrugën për një ofensivë të mundshme tokësore.
Ndërsa evakuimet vijojnë, shumë të moshuar dhe civilë janë larguar në gjendje të rënduar emocionale dhe fizike. “Kur do të përfundojë kjo? Ne kemi marrë fund. Kjo nuk është pleqëri, kjo është një tmerr i pafund,” tha Nadiya, një e moshuar që u nxor nga zona me një furgon të blinduar.
Në spitalin kryesor të qytetit ndodhen dhjetëra të plagosur nga sulmet me dronë. Njëri prej tyre, Oleh, 62 vjeç, u godit nga një “sulm me dy valë” ndërsa përpiqej të ndihmonte fqinjët e tij pas një sulmi ajror që dogji shtëpinë e tyre.
Autoritetet ukrainase në Kherson theksojnë se ndonëse Rusia nuk ka goditur karvanët e evakuimit, kjo nuk e zbut brutalitetin e sulmeve të përditshme mbi civilët. “Nuk ka më asnjë sens të flasim për njerëzi nga ana e Rusisë,” tha Yaroslav Shanko, drejtuesi i administratës ushtarake të qytetit.
Kherson mbetet një nga zonat më të ekspozuara ndaj sulmeve me dronë rusë, të cilët përdoren si armë terrori kundër popullsisë, ndërsa Putin kërkon të rifitojë terrenin e humbur në jug të Ukrainës.