Pas disa ditësh tensioni dhe përplasjeje me policinë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur aksionin për shembjen e ndërtimeve të paligjshme në zonën e mbrojtur të Thethit. Struktura betoni pa leje, që sipas aktivistëve dhe ekspertëve po deformonin identitetin natyror dhe historik të fshatit alpin, do të shemben njëra pas tjetrës.
Pamjet tregojnë ndërtimet me tulla dhe beton që janë ngritur mbi tokë publike apo me dokumentacion të dyshimtë, duke shkelur rregullat e zonës së mbrojtur. Sipas IKMT, bëhet fjalë për “mostra” ndërtimi që nuk kanë lidhje me traditën, estetikën dhe funksionin e Thethit si pasuri natyrore kombëtare.
Përfaqësues të banorëve u përplasën me policinë, duke pretenduar se kanë ndërtuar mbi toka të trashëguara brez pas brezi, por autoritetet u shprehën të vendosura për të zbatuar ligjin dhe për të ndalur betonizimin e parkut kombëtar.
Aksioni pritet të vijojë në ditët në vijim, ndërkohë që debati për menaxhimin e zonave të mbrojtura dhe kontrollin e ndërtimeve në Alpet Shqiptare mbetet i hapur.