FLASH :

Kësaj i druhen SHBA-të në Shqipëri: ish-nënkryetari i Parlamentit, Murrizi, shfaq dakordësi me Putinin.

Frika për ndikimin rus në Ballkan ka qenë prej vitesh një nga shqetësimet madhore të Shteteve të Bashkuara, e theksuar veçanërisht përmes mjeteve të ndërhyrjes ideologjike, lobimit të fshehtë dhe rrjeteve politike të afërta me Kremlinin. Shembulli më domethënës mbetet shpallja “non grata” e Sali Berishës, i cili sipas informacioneve të publikuara zyrtarisht, kishte lobuar me para ruse deri në SHBA.

Por duket se rreziku nuk ndalet me kaq. Një tjetër figurë e njohur e politikës shqiptare, ish-nënkryetari i Kuvendit dhe deputet i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka befasuar me një reagim të fundit në rrjetet sociale, ku shpreh hapur dakordësi me presidentin rus Vladimir Putin për luftën në Gaza.

Në një status të gjatë në Facebook, Murrizi, ndonëse e mbështjell me ndjeshmëri ndaj tragjedisë në Rripin e Gazës, nuk ngurron të idolizojë një nga liderët më të kritikuar të botës për dhunë, shtypje dhe agresion ndërkombëtar.

“Kurrë nuk e kisha menduar që 36 vite pas shembjes së Murit të Berlinit dhe 35 vite pas rënies, teorikisht, të komunizmit në Europën Lindore, do të pajtohesha 100% me deklaratën e një autokrati rus që qeveris me dorë të hekurt, pothuajse diktatoriale, për krimet makabre që një pështirësi politike me surrat njeriu si Benjamin Netanyahu, në emër të qeverisë izraelite, po kryen mbi popullsinë civile – gra dhe fëmijë – të Palestinës.”

Deklarata e Putinit të cilës Murrizi i referohet është:

“Perëndimi na mësoi se të drejtat e njeriut fillojnë dhe mbarojnë aty ku fillojnë dhe mbarojnë interesat e Izraelit.”

Në vijim, Murrizi akuzon udhëheqësit perëndimorë se janë servilë të frikësuar që heshtin përballë krimeve në Gaza, ndërsa bëhen “të zëshëm” për Ukrainën për arsye që, sipas tij, lidhen me interesa financiare dhe armë.

Përtej dhimbjes së shprehjes për civilët palestinezë – një ndjeshmëri e ndarë globalisht – ajo që bie në sy është gjuha e rëndë e përdorur nga Murrizi, si dhe përqafimi i një narrative identike me atë të Kremlinit. Në një kohë kur Vladimir Putin është nën akuzë për krime lufte në Ukrainë, ndërsa Rusia po kërkon të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan përmes çdo hapësire të mundshme, deklarata të tilla përbëjnë sinjale alarmi për partnerët strategjikë të Shqipërisë.

Sado që kritikat ndaj Izraelit dhe mbështetja për civilët në Gaza mund të kenë një bazë morale dhe humane, përqafimi publik i retorikës së një diktatori si Putin – armik i të drejtave të njeriut, lirisë së medias, dhe agresor i një shteti sovran si Ukraina – përforcon dyshimet se disa zëra në politikën shqiptare nuk janë imunë ndaj ndikimeve toksike që SHBA-të kanë paralajmëruar prej kohësh.

Në vend të një qëndrimi të pavarur dhe parimor, duket se Murrizi është “peshkuar” lehtë nga propaganda ruse, duke zgjedhur të idolizojë një nga figurat më të rrezikshme për sigurinë evropiane në shekullin XXI.