Partia Demokratike, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të Koalicionit PD-ASHM, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, duke ngritur shqetësime serioze lidhur me procesin e votimit të shtetasve shqiptarë që ndodhen në Greqi, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Në dokumentin zyrtar thuhet se në fillim të procesit, autoritetet zgjedhore garantuan se çdo zarf me votë do të dërgohej në adresën e votuesit përmes një shërbimi postar të sigurt dhe personal, pa nevojën e ndërmjetësimit apo daljes nga banesa. Por, pak ditë më parë, KQZ ndryshoi papritur këtë qasje. Me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, votuesit shqiptarë në Greqi u udhëzuan të paraqiten fizikisht pranë pikave të DHL për të tërhequr ose dorëzuar zarfin e votimit.
PD thekson se ky ndryshim jo vetëm që cënon sigurinë e votës, por bie ndesh edhe me deklaratat dhe rregullat e mëparshme të KQZ-së. Në dokument theksohet se janë raportuar raste në Greqi ku zarfet nuk po dorëzohen personalisht, por përvetësohen nga individë të caktuar të lidhur me struktura politike, duke përfshirë edhe përdorimin e makinave me targa shqiptare për të shmangur gjurmët.
Po ashtu, vihet në dukje një fluks i pazakontë zarfeve që kanë mbërritur nga Greqia në një ditë të vetme. Vetëm më 4 maj, janë raportuar mbi 6,000 zarfe të ardhura në Tiranë, ndërkohë që një javë më parë, totali ishte 17,700 zarfe. Kjo ngrit pyetje serioze mbi integritetin dhe transparencën e procesit.
Në përmbyllje, PD kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga Komisioneri Celibashi për të rikthyer ligjshmërinë dhe rregullsinë e procesit të votimit në diasporë, duke garantuar që çdo votë e shqiptarëve jashtë vendit të jetë e sigurt dhe e besueshme.












