Në Shqipëri gjithçka është e mundur përfshirë edhe aplikimet spontane për postin e trajnerit të Kombëtares. Këtë herë, protagonisti është ish-deputeti “aksidental” i Kuvendit të Shqipërisë, Selami Jenishehri, i cili i ka dërguar një letër publike trajnerit të përfaqësueses, Sylvinho Mendes Campos, me një kërkesë sa serioze, aq edhe të pazakontë: të bëhet trajner i përkohshëm i Kombëtares për ndeshjen ndaj Serbisë.
Jenishehri i referohet eksperiencës së tij si ish-trajner futbolli dhe këshilltar për trajnerët e ekipit kombëtar, duke pretenduar se ka zhvilluar një metodë stërvitore që i ka tejkaluar edhe standardet e FIFA-s dhe të Juventusit. Ai thekson rëndësinë politike dhe patriotike të ndeshjes me Serbinë dhe i kërkon Sylvinhos t’i japë mundësinë të punojë me ekipin për disa ditë, duke shkruar: “Ju lutem të më jepni mundësinë të ju a vë në dispozicion futbollistëve (sidomos sulmues, por jo vetëm) që të bëj që 100% ndeshjen ta fitojmë me Serbinë”.
“E kuptoj vështirësinë tuaj që ta besoni,” vazhdon më tej ai, “por është një e vërtetë e madhe, që do ta shohësh vetë për 3-4 ditë”. Në fund, Jenishehri shpreh shpresën se kërkesa e tij do të merret parasysh, për të ndihmuar Shqipërinë të dalë me “rezultat të mirë” ndaj Serbisë.
Mes ironisë dhe absurditetit, letra e Jenishehrit përbën një nga ato raste që lë të mendosh: të qeshësh apo të qash? Në fund të ditës, mbetet për t’u parë nëse Sylvinho do t’i kthejë përgjigje kësaj “oferte” unike për një post që zakonisht kërkon licenca ndërkombëtare, jo letra “patriotike”.
