Emiljan Nika, drejtor i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Shkodër, ka marrë një kërcënim 2 ditë më parë, që dyshohet se lidhet me prishjet e ndërtimeve të paligjshme në Theth.
Emiljan Nika ka kallëzuar se në banesën ku jetojnë vetëm prindërit e tij, në fshatin Sektor, Velipojë, në pjesën e jashtme të banesës, mbi kangjellat e portës, ka konstatuar një kurorë mortore.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.07.2025, shtetasi E. N., 44 vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se në banesën ku jetojnë vetëm prindërit e tij, në fshatin Sektor, Velipojë, në pjesën e jashtme të banesës, mbi kangjellat e portës, ka konstatuar një kurorë me lule. Po punohet për sqarimin e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Aksioni për shembjen e rreth 100 ndërtimeve pa leje në fshatin turistik zgjati rreth 9 ditë, gjatë të cilave u regjistruan përplasje të ashpra verbale dhe fizike mes pronarëve të këtyre subjekteve të paligjshme dhe IKMT-së, e cila gjatë të gjithë kohës që operoi në Theth, ishte e shoqëruar me forca të shumta policie.