Blogerja e njohur shqiptare, Armina Mevlani e cila është e matuar me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, ka ndarë së fundmi publikisht një nga vendimet më personale dhe të rëndësishme të jetës së saj: ngrirjen e vezëve.

E ftuar në një intervistë ajo bëri të ditur se ka nisur procedurat paraprake për këtë proces, duke theksuar se vendimi është marrë në mënyrë të vetëdijshme, si një zgjedhje që i garanton lirinë për të planifikuar në mënyrë të pjekur të ardhmen e saj si nënë.

“Kam marrë vendimin që do të bëj ngrirjen e vezëve. Jam pro kësaj gjëje sepse e kam vendosur vetë të pres deri në njëfarë periudhe. E kam shijuar jetën, jetën në çift, dhe mendoj se fëmija është një përgjegjësi shumë e madhe,” u shpreh Armina në “Zë me Mira Kazhanin”.

Ajo theksoi se për të, roli i të qenit prind kërkon përkushtim të plotë dhe nuk mund të delegohet tek persona të tretë:
“Nuk kam qenë asnjëherë pro idesë së të paturit një fëmijë dhe ta lësh me dadon apo me prindërit. Unë jam njeri që i bëj gjërat me dedikim total.”

Mevlani vlerësoi ngrirjen e vezëve si një mundësi që i jep grave kontroll mbi kohën dhe mënyrën se kur të bëhen nëna:
“E shoh si një proces shumë normal që të jep lirinë që në të ardhmen, kur të duash, të bëhesh nënë në moshën 38, 40 apo edhe 45 vjeç.”

Deklarata e plotë:
Kam marrë vendimin që do bëj ngrirjen e vezëve dhe sigurisht ka procedura paraprake. Jam pro kësaj gjëje sepse unë kam vendosur vetë që të pres deri në njëfarë periudhe. Sepse e kam shijuar shumë jetën, jetën në çift. Të dy e shijuam sepse fëmija është një përgjegjësi shumë e madhe. Duhet bërë shumë mirë, duhet t’i dedikosh kohë. Unë nuk kam qenë asnjëherë pro të paturit një fëmijë, ta lësh me dadon apo me prindërit, por t’i dedikohesh plotësisht. Jam njeri që i bëj gjërat me dedikimin total dhe normalisht me kohën fillon piqesh edhe e kërkon atë gjë. Ngrirja e vezëve e shikoj si një proces shumë normal që ty të bën që në të ardhmen kur të duash të kesh një fëmijë mund ta duash ta kesh edhe 40 vjeç edhe 38 edhe 45, të kesh lirinë për ta bërë këtë gjë.