FLASH :

“Kemi nevojë për të”, Tesla përgatit bonusin e miliardave për Elon Musk

Tesla po përgatit një bonus prej 30 miliardë dollarësh që Elon Musk të vazhdojë të qëndrojë në krye. Kompania u tha aksionerëve se një komitet special brenda bordit miratoi shpërndarjen e 96 milionë aksioneve ndaj sipërmarrësit, si pjesë e një kompensimi prej 50 miliardë dollarësh, të dakordësuar nga kompania që në 2018-ën, por më vonë i rrëzuar nga gjykata e Delaware si “i pabarabartë”.

Musk do të duhet të paguajë rreth 23 dollarë për çdo aksion dhe si total janë 2,3 miliardë dollarë. Në këmbim, ai do të marrë një paketë aksionesh që me çmimet e tanishme të tregut vlen afërsisht 15 herë më shumë. Musk do të duhet ta shpenzojë paketën brenda dy vjetësh, gjatë të cilëve do të mbajë rolin udhëheqës të Tesla. Ai nuk mund t’i shesë aksionet për pesë vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër, bonusi nuk synon të shtojë pasurinë e njeriut më të pasur të botës, por që ai të forcojë lidhjen me Tesla, siç ka kërkuar vazhdimisht duke kërcënuar se do të largohet nga kompania. Me 96 milionë aksione, Musk shkon nga 12,8% në 15% të aksioneve.

Dy nga anëtarët e komitetit që aprovuan bonusin, Robyn Denholm dhe Kathleen Wilson-Thompson, në një letër drejtuar aksionerëve shkruan: “Mbajtja e Elon është më e rëndësishme se kurrë. Sot,Tesla është në një pikë kritike ndryshimi. Falë vizionit unik dhe drejtimit të Elon, Tesla po kalon nga roli udhëheqës në automjetet elektrike dhe energjinë e ripërtërishme në rritjen dhe kthimin në lider në Inteligjencën Artificiale, robotikë dhe shërbime të ndërlidhura.”

Për të përfunduar këtë shndërrim, përmbyll letra, “nevojitet një udhëheqës që kombinon largpamësinë strategjike, përshtatshmërinë dhe veprimin e palodhur për të tejkaluar konkurrencën dhe frymëzuar ekipin.”