FLASH :

Këmbëzbathur dhe pa bluzë, policia shtrin në tokë në Vlorë vrasësin e Renato Hoxhës

Policia e Vlorës, në bashkëpunim me strukturat qendrore të Forcës së Posaçme Operacionale, ka finalizuar operacionin “Në gjurmë”, duke arrestuar një nga bashkëpunëtorët e dyshuar të vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxha, i cili u ekzekutua më 27 prill 2025 pranë poliklinikës në lagjen “Hajro Çakërri”.

I arrestuari është shtetasi K. B., i njohur edhe me emrin A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje. Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar në organizimin e atentatit.

Po ashtu, është vënë më herët në pranga edhe shtetasi E. M., i cili akuzohet se ka vënë në dispozicion të autorëve një automjet të pajisur me targa të vjedhura, me qëllim për të ndihmuar në largimin pas ngjarjes.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:20 të mëngjesit, kur viktima po ecte në rrugë pranë një poliklinike. Autori i maskuar i është afruar nga pas dhe e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas ekzekutimit, autori është larguar me shpejtësi në një rrugicë të ngushtë, ku u filmua nga kamerat e sigurisë.

Pamjet tregojnë një person me kapuç që largohet me nxitim nga vendi i krimit. Ky dyshohet të jetë autori kryesor, i cili mendohet se është larguar drejt Greqisë pas ngjarjes.

Hetimet tregojnë se vrasja lidhet me përplasje të mëhershme kriminale në Vlorë. Renato Hoxha dyshohet se kishte rol informues në këto përplasje mes grupeve rivale, çka mund të ketë sjellë dhe motivin për vrasjen, e cila dyshohet të jetë porositur nga jashtë vendit.

Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve të tjerë. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.