Fenomeni i bixhozit, një plagë e rëndë shoqërore i cili godet kryesisht të varfrit dhe shtresat e mesme, ka rënë në heshtje dhe për të nuk flasin as mediat, as politika e as opozita, duke qenë se licencat i kanë subjekte shumë të mëdha si hotele me 5 yje.
Me gjithë turpin e qeverisë që i ka bekuar kazinotë dhe turpin e opozitës që hesht duke nënkuptuar për një pakt të fshehtë me qeverinë dhe me bizneset për të mbyllur gojën përballë kësaj plage shoqërore, për fat të mirë një zë që bën jehonë nga përtej oqeanit vjen nga SHBA-ja.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar ashpër në deklaratën e tij më të fundit për Shqipërinë, ku vë theksin tek rreziku që ky lloj bixhozi ka që të bjerë në duart apo është tashmë në duart e krimit të organizuar.
Ja cfarë thuhet në raportin e DASH:
“Më 15 shkurt 2024, parlamenti legalizoi bastet sportive, duke përmbysur ndalimin e vitit 2018. Ligji i ri, i cili hyri në fuqi më 27 mars 2024, legalizon bastet sportive vetëm në mjedis online dhe do të japë 10 licenca për kompani me reputacion. Ligji i ri ngre shqetësime se mbikëqyrja e dobët mund të lejojë krimin e organizuar të depërtojë në këtë aktivitet. Lojërat e fatit në kazino mbikëqyren nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit”, ku gjithashtu, ndër të tjera thuhet se SPAK-u sekuestroi dhe konfiskoi edhe asete të rëndësishme, përfshirë pasuri të paluajtshme, automjete, biznese dhe para të thata.
Departamenti Amerikan i Shtetit Për Shqipërinë, bën thirrje që të shtohen hetimet, pasi pjesa më e madhe e pastrimit të parave është e lidhur me trafikun e drogës dhe korrupsionit.
“Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve për t’u fokusuar te korrupsioni, pastrimi i parave dhe krimet ekonomike. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformën gjyqësore të nisur në vitet 2016-2017” – shton DASH, ku thekson faktin se duhet të rregullohet legjislacioni për institucionet e mikrokredive dhe monedhat dixhitale.