Kavajë- Digjet një sipërfaqe e madhe me bimësi e pemë frutore në Kavajë, duke rrezikuar edhe trasetë e shinave të trenit.
Identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrit në fshatin Kryeluzaj. Falë veprimeve të shpejta hetimore u lokalizua dhe arrestua i dyshuari Gentian Blloshmi, 47 vjeç, banues në Kavajë.
Shërbimet e Komisariatit, bënë me dije se sapo morën njoftimin mbrëmjen e djeshme, se në territorin e fshatit Kryeluzaj, kishte rënë zjarr i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, shkuan menjëherë në vendngjarje.
“Arrestimi i tij u bë pasi, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Kryeluzaj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”, bëri me dije policia vendore.
Policia e Shtetit apeloi për të gjithë banorët të mos ndezin zjarr për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara.